Kosova diskutohet në Selanik
4 Maj 2006
Pjesëmarrja e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në samitin e Selanikut, që zhvillohet që prej ditës së djeshme në hotelin “Hyatt”, është një tjetër dëshmi se problemi i Kosovës do të përfshihet në axhendën e bisedimeve të liderve të 9 vendeve ballkanike, që do të zhvillohet sot para dite dhe do të kurorëzohet me deklaratën e përbashkët. Kjo sigurisht nuk mund të bëhej në mungesë të faktorit shqiptar të Kosovës edhe pse kjo e fundit përfaqesohet nga kryeadministratori ndërkombetar Soren Jessen – Petersen, kur present do të jetë edhe ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Martii Ahtisaari.
Ministrat e jashtëm në sesionin e tyre të djeshëm, siç rezultoi në konferencën e troikës ballkanike, shprehën mbështetjen e tyre në procesin e bisedimeve për statusin “Duam një zgjidhje jo vetëm në kuadrin e ngushtë local, por dhe një zgjidhje që do të promovojë stabilitetin dhe sigurinë rajonale” tha ministrja e jashtme greke, Dora Bakojani. Problemi do të përfshihet edhe në Deklaratën e Përbashket, ku sipas burimeve jo zyrtare do të ritheksohet edhe nevoja e një zgjidhjeje jo të imponuar, por të pranueshme nga të gjitha palët.
Sidoqoftë, me vlerësimin dhe kërkesën për një “implikim esencial” të vendeve të rajonit edhe gjatë presidencës së ardhshme kroate ajo që mund të thuhet në kuadrin e këtij samiti është se zhvillimet në rajon nuk mund të mos hidhnin hijen e tyre në punimet e tij. Ato konciduan me skadimin dje në drekë të ultimatumit të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë-Malit të Zi për arrestimin e Mlladiçit, që paralelisht me dorëheqjen e nënkryetarit të qeverisë në Beograd detyruan shefin e diplomacisë serbe që të pranojë dështimin dhe të flasë për “pengmarrje të gjithë kombit serb dhe kërcënim për të ardhmen e tij evropiane”.
“Ndodhemi në një gjendje tragjike”, tha shprehimisht Drashkoviç, “pasi për shkak të të akuzuarve për krime lufte që qarkullojnë të lirë varet fati i negociatave për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit”, duke e lidhur atë në një farë mënyre edhe me fatin e referendumit për Malin e Zi edhe statusin e Kosovës. Në qofte se për Podogoricën tha “se do të jetë i pranueshëm çdo rezultat i referendumit” për pavarësinë eventuale të Kosovës ishte edhe njëherë kategorisht kundër. “Një pavarësie të mundshme të Kosovës, tha, do të jetë preludi i një katastrofe të re ballkanike…” dhe Drashkoviç në tonet e njohura të Beogradit për të shtuar se “Serbia nuk do të detyrohet as me ndëshkime dhe as me shantazhe që të njohë krijimin e një shteti tjetër shqiptar në territorin e saj”.