Kosova do të blejë armatim nga SHBA - Serbia reagon
12 Janar 2024Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar kërkesën e Kosovës për shitjen e një numri të raketave Javelin për Kosovën, në vlerë 75 milionë dollarë. Kosova, thuhet në njoftim, ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F, që njihen si raketa antitank. Në njoftimin e Departamentit Amerikan, thuhet se me këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të raketave. "Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kërkesa në Kongresin Amerikan
Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon. "Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare. Tani kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës të enjten në mbrëmje konfimoi se qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerje ushtarake përmes programit FMS Shitjet e Huaja Ushtarake. Në këtë program, parashihen blerjet ushtarake, sistemin raketor antitank "Javelin” por, dhe sisteme të tjera armatimi.
Reagimi i Serbisë
Të enjten në mbrëmje ambasadori amerikan në Serbi, Christofer Hill takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe e njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketahedhës antitank Javelin. Për këtë blerje armatimi, presidenti i Serbisë, "shprehu zhgënjimin e thellë” ndaj kësaj shitjeje të pritshme. "Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan", citohet presidenti Vuçiq në njoftimin e presidencës serbe.
Forca e Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2018 ishte një forcë e armatosur lehtë, dhe kishte statusin për reagime në rastin e katastrofave natyrore. Por në vitin 2018, me konfirmimin e aleatëve perëndimorë sidomos SHBA-së, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që e shndërroi Forcën e Sigurisë në ushtri të Kosovës.