Kosova do të ketë 10 ose 11 komuna serbe
22 Gusht 2006
Autoritet e Kosovës akoma nuk kanë marrë konfirmimin e zyrës së ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, se plani i tyre për decentralizimin në Kosovë është i
pranueshëm për faktorin ndërkombëtar.
Pas një takimi mbi katër orësh që autoritet e Prishtinës zhvilluan me grupin e ekspertëve ndërkombëtar për decentralizimin, u tha se në Kosovë do të ketë 10 deri
në 11 komuna për pakicën serbe mirëpo, nuk do të ketë bashkim të pjesës veriore të Mitrovicës me komunën e Zvecanit.
Lutfi Haziri, është udhëheqës i grupit të Prishtinës për decentralizim dhe zëvëndëskryeministër i Kosovës tha se "takimi i Prishtinës për decentralizimin ka harmonizuar shumë qëndrimet e palës kosovare me atë ndërkombëtare, ndërsa beson se çështja e decentralizimit do të përfundojë në filim të muajit shtator."
Një çështje për të cilën pala kosovare nuk lëshon pe është çështja e pjesës veriore
të Mitrovicës. Pala kosovare pranon që pjesa veriore e Mitrovicës të jetë njësi komunale në kuadër të qytetit të Mitrovicës, mirëpo jo që ajo të bashkohet
me komunën e Zvecanit, ashtu siç kërkon pala serbe e Beogradit, sepse sipas Hazirit do të rriteshin apetitet për ndarje të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme ekpertët e zyrës së ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari, do të zhvillojnë sërish një takim me palën kosovare ku do të diskutohen disa
cështje teknike, ndërsa takimi i nivelit të lartë politik do të zhvillohet të mërkurën në Prishtinë me ndërmjetësin ndërkombëtar Marti Ahtisari.
Sidoqoftë, çështjes së decentralizimit duket se po i vjen fundi. Autoritet kosovare besojnë se fillimi i muajit shtator do të shënojë fundin e diskutimeve për
decentralizimin, nuk do të ketë marrëveshje të nënshkruar por, kjo çështje do të adresohet si pako për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës që
besohet se do të përfundojë gjatë këtij viti.