Futboll: Kosova përballë Haitit, ndeshje miqësore
4 Mars 2014Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën me 05.03, luan ndeshjen e parë miqësore me përfaqësuesen e Haitit. Kjo ndeshje zhvillohet me leje të Federatës Botërore të Futbollit - FIFA. Federata e Futbollit të Kosovës, akoma nuk është pranuar si anëtare me të drejta të plota të Federatës Botërore të Futbollit, mirëpo asaj i është lejuar të luaj vetëm ndeshje miqësore. Ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësues së Kosovës dhe përfaqësues së Haitit zhvillohet në stadiumin olimpik, Adem Jashari në Mitrovicë. Interesimi i adhuruesve të sportit është shumë i madh. Të 17 mijë biletat, aq sa ka edhe kapaciteti i stadiumit, janë shitur në vetëm dy ditë.
“Për vetëm 1 ose 2 orë, janë shitur 8 mijë bileta, që tregon se është interesim i jashtëzakonshëm, si nga bashkatdhetarët tanë, që janë nëpër shtetet e huaja, e të mos flas për ata që janë në Kosovë”, ka thënë për mediat në Prishtinë, Eroll Salihu, Sekretar i Federatës Kosovare dhe Futbollit. Gjyqtarët për këtë ndeshje janë caktuar nga FIFA. Kjo ndeshje është edhe një test për nivelin e futbollit kosovar, por edhe një shans për të ardhmen e anëtarësimit të Kosovës në Federatën Botërore të Futbollit.