1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Heqja e letërngjitëseve akt i fqinjësisë së mirë

5 Janar 2024

Kosova vendosi të heqë masën reciproke për letërngjitëse në targat e automjeteve të Serbisë. Ky vendim vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia.

Pamje nga një mbledhje e kabinetit qeveritar të Kosovës
Pamje nga një mbledhje e kabinetit qeveritar të KosovësFotografi: Office of the Government of Kosovo

Qeveria e Kosovës mori vendim të enjten vonë që të lejojë hyrjen në Kosovë të makinave me targa serbe, pa i mbuluar simbolet shtetërore të Serbisë (RS). Në këtë mënyrë Kosova hoqi masën reciproke vetëm pak ditë pasi Serbia mori vendim të ngjashëm për makinat me targa të Kosovës. Vendimi i Kosovës hyn në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare. "Heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thuhet në njoftim të qeverisë së Kosovës.

Nga 1 janari i këtij viti makinat me targa të Kosovës  lejohen të hyjnë edhe në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore (RKS), pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet dy vendeve. Autoritetet serbe thanë, se vendosën të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës, por në vendkalimet kufitare ata vendosën afishe, në të cilat thuhet se "mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës".

Mitrovica e VeriutFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Petkoviq: Serbia respekton marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pati thënë se "Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës”.

Marrëveshja fillestare për përdorimin e targave të makinave ishte arritur në fund të vitit 2011, por zbatimi i saj në terren u pamundësua për shkak të mospajtimeve dypalëshe. Beogradi nuk pajtohej me targat e Kosovës me mbishkrimin RKS. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se "vendimi për lëvizjen e lirë të makinave me targa RKS nëpër Serbi "ka shmangur gracka dhe rreziqe të mëdha për Serbinë”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar PetkoviqFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Në gusht të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Për serbët e Kosovës që mbanin targa të makinave ilegale, qeveria dha afat deri më 15 dhjetor të këtij viti që t'i konvertojnë targat e tyre në RKS. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, rreth 4 mijë e 200 vetura të serbëve janë me targa të reja, ndërsa, shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre edhe në Serbi dhe ata natyrisht lejohen t'i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë