1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ka nevojë për EULEX-in

Bekim Shehu / Prishtinë4 Shtator 2012

”Kosova ka nevojë edhe për pak kohë për misionin EULEX, por kjo prezencë nuk e zbehë fundin e mbikqyrjes së pavarësisë”, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Fotografi: DW

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka kërkuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, që t'ia vazhdojë mandatin edhe per dy vjet deri në vitin 2014, misionit të BE-së në Kosovë, EULEX. Këtë kërkesë presidentja Jahjaga e bëri nëpërmjet një letre që i dërgoi baroneshës Ashton të hënën në Bruksel. Zyrtarë nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane e konfirmojnë se ata e kanë marrë letrën, ndërsa, përgjigja e cila besohet se do të jetë pozitive do të kthehet në Prishtinë gjatë ditës së sotme e martë, 04.09.2012. Me këtë hap pritet të qartësohet përfundimisht mënyra e funksionimit të misionit evropian për sundimin e ligjit në kuadër të institucioneve kosovare. Në bazë të Kushtetutës, Kosova ka mundësi që të kalojë tek mekanizmat ndërkombëtarë përgjegjësi për çështje të caktuara.

Në foto, Catherine AshtonFotografi: dapd

Letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, pritet të votohet në formën e një marrëveshje në parlamentin e Kosovës ditën e premte, kur edhe do të miratohen ndryshimet kushtetuese të cilat mundësojnë fundin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, EULEX-it u vendos në Kosovë në vitin 2008 me ftesën e autoriteteve të Prishtinës. Ky mision ishte paraparë me planin e Marti Ahtisarit, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kosova ka nevojë ende për misionin e EULEX-it

Zëvëndës-kryeministri Hajredin Kuçi, thotë se Kosova ka nevojë edhe për pak kohë për misionin EULEX, por sipas tij prezenca e këtij misioni në Kosovë, nuk e zbehë fundin e mbikqyrjes së pavarësisë. “Ne kemi menduar se edhe dy vitet e ardhshme Kosova ka nevojë për veprime të tilla, poashtu është menduar edhe nga BE-ja që EULEX-i të jetë prezent, por jo një prezencë në një shtet që do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare, por në një shtet sovran dhe të pavarur që ka nevojë me ngritjen e kapaciteteve në vendosjen e rendit dhe ligjit. Natyrisht bashkëpuni me BE-në do të vazhdojë në kuptimin me Komisionin Evropian dhe rrugëtimin tonë për në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është ajo që e zbeh fundin e mbikqyrjes së pavarësisë, por është ajo që është menduar duke marrë parasysh gjendjen reale në Kosovë dhe atë që është perceptimi i BE-së për zhvillimet në Kosovë”, thotë Hajredin Kuçi.

Në foto, Hajredin KuçiFotografi: DW

Me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës e cila do të ndodhë më datën 10 shtator, misioni EULEX-i do të mbetet i vetmi institucion ndërkombëtar në Kosovë, i cili vazhdon të ketë fuqi ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit.