Kosova multietnike duhet vënë në jetë duke bërë presion
27 Mars 2007
Në raportin e paraqitur në Nju-Jork pas një viti bisedimesh dhe ndërmjetësimesh ai shkruan: "Pavarësia është mundësia e vetme për të siguruar stabilitetin politik dhe aftësinë ekonomike të Kosovës për të mbijetuar." Propozimi i Ahtisarit ndeshi në reagime të ndryshme në Nju-Jork. Ndërsa SHBA-të e përshëndetën këtë plan, përfaqësuesit e Rusisë u shprehën me skepticizëm. Nënsekretari amerikan i shtetit për punët e jashtme Nicholas Burns tha të hënën në Bruksel, se deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë do të nevojiten edhe deri në pesë apo shtatë javë bisedime mes palësh të ndryshme.
Me propozimin e tij për një pavarësi nën mbikqyrjen ndërkombëtare Marti Ahtisari ka përmendur shprehimisht dy të vërteta, të cilat për njohësit e kësaj çështjeje kishin kohë që ishin të qarta: së pari për Kosovën nuk mund të ketë kthim mbrapa në Serbi dhe së dyti: stabiliteti në Evropën Juglindore mund të arrihet vetëm në rast se të gjithë kanë një perspektivë të qartë brenda një kuadri demokratik.
Shumica shqiptare e banorëve të Kosovës mund ta konsiderojë këtë raport fillimisht si një fitore të madhe të përpjekjeve të saj për pavarësi. Por tani asaj i duhet që të jetë edhe më e kujdeshme dhe e vëmendshme, që të tregojë se edhe e meriton atë. Ajo duhet të mbrojë në mënyrë aktive të drejtat e minoritetit serb dhe të minoriteteve të tjera. Dhe një e tillë nuk vlen vetëm për zëdhënësit e politikanëve. Të gjithë shqiptarët e Kosovës duhet të dëshmojnë se e meritojnë pavarësinë. Një e gjë e tillë presupozon që ata të ndërmarrin hapa konkretë në drejtim të fqinjëve të tyre duke dëshmuar gatishmëri për pajtim në të gjitha fushat e jetës, në shkollë, punë, në jetën e përditshme apo nëpër shoqata sportive.
Në rast se bashkësia ndërkombëtare do t'i pranojë propozimet e Ahtisarit dhe do ta njohë Kosovën si shtet sovran, atëhere edhe ajo duhet ta ketë të qartë që po merr përsipër një detyrim. Misioni i ardhshëm i BE-së duhet të ketë kujdes dhe të vëzhgojë nëse përbetimet e politikanëve shqiptarë të Kosovë për një Kosovë multietnike i përgjigjen vullnetit dhe dëshirës së tyre, apo janë vetëm fjalë sa për të kaluar radhën.
Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të ngrurrojë, që të ndërhyjë me vendosmëri në rast se do të ketë diskriminime apo sulme ndaj minoriteteve. Po ashtu ajo duhet ta tejkalojë përçarjen etnike të komunave dhe të kujdeset që pjesët e ndara të Kosovës të ngjizen sërish.
Kjo mund të bëhet vetëm në rast se perspektiva evropiane e Kosovës, e Serbisë dhe e Malit të Zi janë në qendër të vëmendjes dhe në rast se të gjitha palët në Evropën Juglindore dhe në BE punojnë që kufijtë e rinj mes këtyre shteteve mbeten të depërtueshëm për qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Dhe që të bëhet një gjë e tillë shtetet e BE-së, me Gjermaninë së presidente e radhës në krye, duhet të bashkohen unanimisht me propozimin e Ahtisarit dhe të bëjnë gjithçka, që ai të miratohet në Këshillin e Sigurimit edhe prej Rusisë. Pas kësaj prej tyre kërkohet që të vënë në dispozicion mjetet dhe personelin për një prani të fortë të BE-së në Kosovë, e cila duhet t'u përgjigjet edhe pretendimeve të shenjtaët BE-së.
Dhe së fundi është e qartë se një zgjidhje e vërtetë evropiane - pra anëtarësia në BE - është e mundur vetëm atëhere, kur qytetarët e Kosovës të kenë dhënë dëshmi të tolerancës dhe të demokracisë dhe në qoftë se ata gëzojnë sovranitet të plotë.