Kosova nuk është tema qëndrore që shqetëson njerëzit në Serbi
24 Gusht 2007Deutsche Welle: Zonja Nolte, si paraqitet sot gjendja në Serbi?
Claudia Nolte: Në përgjithësi është e vështirë të japësh një pamje të përgjithshme. Unë mendoj se në Serbi njerëzve u intereson më shumë situata ekonomike dhe gjendja personale. Shumë vetë kanë frikë për vendin e punës. Të ardhurat e njerëzve nuk janë shumë të larta. Njerëzit duan që të përmirësojnë standartet e jetës. Ndërsa interesat politike ndodhen diku tjetër. Nëse ndjek lajmet, atëherë shikon se të gjitha kanë lidhje më Kosovën dhe Kosova sundon lajmet e gazetave, televizioneve dhe mediave të tjera në Serbi.
Deutsche Welle: Janë vërtet shumë të interesuar serbët për Kosovën, apo është vetëm një kartë në duart e politikanëve për lojra forcash?
Claudia Nolte: Eshtë e vështirë të japësh një përgjigje për këtë. Unë mendoj se njerëzit e thjeshtë në Serbi janë më tepër të interesuar për situatën e tyre ekonomike dhe situatën ekonomike të Serbisë se sa për Kosovën. Unë mendoj, se elita politike e vendit, përgjegjësit politikë janë ata që merren kryesisht me këtë temë. Në këto momente kanë filluar bisedimet e reja dhe gjithnjë gjendet një shkak për të tematizuar këtë çështje. Por, edhe po të hedhësh një sy mbi sondazhet e kohëve të fundit shihet gjithnjë e më qartë se çështja e Kosovës ndiqet në Serbi, dhe se bisedimet vëzhgohen. Natyrisht nëse i pyet njerëzit a duan që Kosova të mbesë në Serbi apo jo, sigurisht që do marrësh përgjigje pozitive. Megjithatë, "Kosova" nuk është tema qëndrore që shqetëson njerëzit.
Deutsche Welle: Së fundi u hodh në tavolinë ideja e ndarjes së Kosovës. Me sa duket serbët janë më shumë për ndarjen e Kosovës se sa shqiptarët? A mendoni se tani komuniteti ndërkombëtar do të përqëndrohet tani më shumë për të bindur shqiptarët?
Claudia Nolte: Të dyja palët kanë qëndrime të qarta. Unë mendoj se me të dyja palët duhet punuar në të njëjtën masë. Bisedimet e reja kanë perspektivë të kenë sukses, nëse të dyja palët marrin pjesë në mënyrë konstruktive. Në fund të fundit janë ata që duhet të gjejnë zgjidhjen. Më e rëndësishmja dhe rruga më e mirë do të ishte që palët ta gjejnë vetë zgjidhjen. Po kaloj tek pyetja juaj për ndarjen. Një nga principet e Grupit të Kontaktit i cili është duke u respektuar që nga fillimi, pra që nga viti 2005 është se ndarja nuk është obsion i mundshëm. Sikur edhe sa për të ruajtur stabilitetin e rajoneve të tjera. Gjithashtu nëse dëgjon reaksionet e tanishme ndaj ideve të tilla, sheh se kjo nuk do të ishte zgjidhja e dëshiruar dhe unë mendoj se nuk ka kuptim tani të bëhen spekullime. Zgjidhja duhet të dalë nga bisedimet e trojkës aktuale të SHBA-ve, Rusisë dhe Europës me Beogradin dhe Prishtinën dhe jo nga jashtë, me hedhje propozimesh spekullative.
Deutscher Welle: Çfarë prisni nga bisedimet e javës tjetër në Vjenë?
Claudia Nolte: E rëndësishme është që të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi të bëjnë propozimet si duhen zhvilluar bisedimet dhe për çfarë duhet të flitet në to. Në fund të fundit në bisedimet e Ahtisaarit është mbledhur eksperienca e duhur. Bisedimet tani nuk fillojnë nga zero. Prandaj palët duhet të thonë se si mendojnë se duhet të zhvillohen ato. Do të ishte shumë mirë sikur të dyja palët të japin propozime mbi procedurën dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes. Por tani unë them se duhet pritur. Bisedimet aktuale do të zgjasin deri në fund të vitit dhe sigurisht, që nuk pritet që javën tjetër që të kemi rezultate konkrete.