Kosova obligohet për kthimin e të zhvendosurve
6 Qershor 2006
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, e mirëpriti nënshkrimin e këtij protokolli, ndërsa, tha se institucionet e Kosovës duhet të garantojnë që qytetarët e kthyer në këtë rast serbët e Kosovës të jetojnë të lirë dhe të punojnë për të ardhmen e tyre.
"Ne po punojmë shumë afër edhe me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe sigurojmë ata për një jetë të sigurt, të dinjitetshme dhe qasje në të gjitha shërbimet. Pra në po punojmë që të krjijojmë kushtet për kthimin e të zhvendosurve, ndërsa të gjitha deklarimet që mundohen të pengojnë këtë kthim dëmtojnë vetë serbët e Kosovës," tha Soren Jesen Petersen.
Në emër të qeverisë së Serbisë, nënshkrues i protokolit për kthim ishte Milorad Todoroviq, anëtar i grupit negociator serb në bisedimet për statusin e Kosovës. Milorad Todoroviq, përfaqësues i qeverisë së Sërbisë, tha se dokumenti I nënshkruar ka për qëllim krijimin e të gjitha shanseve për kthim dhe krijimin e një klime të mirë mirëbesimi ndërqytetar që do të mundësojë një kthim të qëndrueshëm të serbëve në Kosovë.
Përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës Dardan Gashi, nënshkrues i protokollit për kthim thotë se qeveria e Kosovës si subjekt i ardhshëm ndërkombëtar merr obligim për kthimin e të zhvendosurve dhe në këtë mënyrë përmbush një nga standardet prioritare i përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Protokolli për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë, i cili u nënshkrua ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parasheh kthimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie etnike të larguar nga vendbanimet e tyre. Këtë kthim do të financojë qeveria e Kosovës dhe administrate ndërkombëtare, mirëpo jo edhe levizjet e brendhshme të qytetarëve të kthyer që mund të ndodhin në të ardhmën. Në bazë të statistikave të UNHCR-së, thuhet se mbi 90 mijë qytetar serb janë të zhvendosur nga Kosova, ndërsa, nga ky numër afro 14 mijë tashmë janë kthyer në Kosovë.