1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj

10 Tetor 2024

Pranimi i Kosovës me emrin e saj në CEFTA, u mundësua pasi Kosova vendosi të heqë masën e ndalesës për mallrat serbe që ishte kërkesë e qeverisë gjermane. Ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock e përshëndeti vendimin.

Takim përgatitor i ministrave të Jashtëm në Berlin për samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor
Takim përgatitor i ministrave të Jashtëm në Berlin për samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetorFotografi: Dominik Butzmann/AA/photothek.de/picture alliance

Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, që këtë vit kryesohet nga Serbia, vendosi që Kosova tash e tutje në këtë organizatë të tregtisë së lirë do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, dhe me emrin e saj, por me fusnotë, dhe jo më si deri tash nga përfaqësues të misionit të OKB-së, UNMIK. "Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e Komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, konfirmoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari.

Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, qëndroi disa herë në Kosovë në muajt e funditFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Kosova e mirëpret vendimin për pranimin e saj

Pranimi i Kosovës me emrin e saj në CEFTA u mundësua pasi Kosova vendosi që të heqë masën e ndalesës për mallrat serbe që ishte kërkesë e qeverisë gjermane. Për zyrtarë nga zyra e kryeministrit Albin Kurti, vendimi i komitetit të përbashkët të CEFTA nën kryesimin e Serbisë, që ta pranojë Kosovën me emrin e saj, është tregues që gradualisht Serbia po e pranon realitetin e ri në Kosovë. "Ka pas shumë presidenca CEFTA por nuk është larguar, e që tregon se është momenti i fundit që të jetojmë në realitet në kuptimin që Serbia e pranon çdo herë e më shumë pavarësinë e Kosovës, shtetin e pavarur dhe e njeh realitetin. Mendoj që ky është një rezultat kolektiv i qeverisë dhe një ditë shumë e mirë me rëndësi për Procesin e Berlinit ku pas 5 ditë atje do të arrijmë marrëveshje të re”, deklaroi këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj. Me heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia dhe pranimin e Kosovës me emrin e saj në CEFTA, kryeministri Albin Kurti, do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit.

Baerbock: Zhbllokimi i CEFTA-s afron Ballkanin Perëndimor

Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore CEFTA, pasuan vendimin e dy dite më parë të qeverisë së Kosovës që të heqë masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia. Përfaqësimin e Kosovës me emrin e saj në CEFTA e vlerësoi pozitivisht Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila tha se "me zhbllokimin e CEFTA-s është duke u afruar Ballkani Perëndimor me njëri-tjetrin”.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena BaerbockFotografi: Dominik Butzmann/AA/photothek.de/picture alliance

"Në Procesin e Berlinit ne ishim në gjendje të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendës dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, shkroi Baerbock.

Gjermania vazhdimisht ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton marrëveshjen CEFTA-s dhe Procesin e Berlinit, nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t'i afrojnë ato me Bashkimin Evropian. Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, qëndroi disa herë në Kosovë në muajt e fundit, dhe vazhdimisht paralajmëronte se ndalesa e mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova rrezikon të mos marrë pjesë në Procesin e Berlinit.

Procesi i Berlinit këtë vit shënon 10-vjetorin e themelimit. Mekanizmi ishte një nismë e vitit 2014 e iniciuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, që synonte thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Takimi i radhës i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.