1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përshëndet Malin e Zi

Bekim Shehu22 Maj 2006

Udhëheqësit politik të Kosovës e përshendetën mbarëvajtjen e referendumit në Mal të Zi, ku qytetarët malazez shprehën lirshëm zërin për definimin e të ardhmës së vendit të tyre.

Hartë e Ballkanit
Hartë e BallkanitFotografi: AP

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thanë se populli i Malit të Zi shprehu vullnetin për të jetuar i lire në vendin e tyre të pavarur. Referendumi në Mal të Zi, sipas tyre, dëshmoi se ky vend ka një demokraci funsksinale, ky qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike apo relegjioni shprehën lirshëm zërin e tyre për definimin e të ardhmës së vendit të tyre.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu thotë: "Ne kemi thënë se respektojmë vullnetin politik të popullit në Mal të zi dhe vendimi që merret nga ta do të jetë për ne vendim që ne e konsiderojmë valid, sepse atë e kanë zgjedhur qytetarët. Gjithmonë kemi thënë, se nuk mund të ndërlidhen çështja e Mali të Zi më Kosovën, Kosova e ka rrugëtimin e vet specifik dhe ju e dini, se qasja jonë me pavarësinë është shumë e hershme, ne do të kembëngulim që ajo të përfundojë këtë vit."

Kryeminstri i Kosovës, Agim Çeku, thotë se rezultati e referendumit në Mal të Zi, do të kontribuojë në ndërtimin e marredhënieve të mira fqinjësore.

"Uroj Malin e zi që të vazhdojë rrugën e demokracisë dhe integrimin evropian. Jam i bindur se deri në fund të vitit edhe Kosova do t’i bashkangjitet Malit të Zi në definimin e statusit të pavarur dhe kjo përfundismisht do të thotë shpërbërje të një tregimi të pasukseshëm të ish Jugosllavisë. Mali i Zi do të gjejë tek Kosova një partner serioz në ndërtimin e rrugës së përbashkët drejt integrimit të Evropës", tha kryeministri Çeku.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryetari i PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi.

"unë përshëndes rezultatet e referendumit në Mal të Zi, është respektim i vullnetit të qytetarëve të Mali të Zi dhe i uroj pavarsinë. Unë besoj dhe jam i bindur se viti 2006 do të jetë viti edhe i vendimit për pavarësinë e Kosovës, kështu që ne këtë vitë do t’i kemi edhe tri shtete të pavarura, Kosovën e pavarur, Malin e Zi dhe Serbinë e pavarur dhe në këtë mënyrë do të hapet procesi i integrimit në bashkimin evropian dhe në NATO, për rajonin", tha Hashim Thaqi.

Sidoqoftë, udhëheqësit politik në Kosovë thonë, se përcaktimi i statusit të Kosovës, nuk është i ndërlidhur me referendumin dhe pavarsinë e Malit të Zi, mirëpo ata besojnë se viti 2006 do të shënojë edhe pavarësinë e Kosovës.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW