1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova refuzon zgjedhjet paralele

Bekim Shehu19 Shtator 2007

Në Kosovë, është kundërshtuar fuqishëm ideja e autoriteteve të Beogradit që Serbia të organizojë zgjedhje paralele në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Slobodan Samardzic, Ministër i Kosovës në qeverinë e Serbisë
Slobodan Samardzic, Ministër i Kosovës në qeverinë e SerbisëFotografi: AP

Ideja e autoriteteve të Beogradit për të organizuar zgjedhje paralele në komunat me shumicë serbe në Kosovë, është kundërshtar fuqishëm nga zyrtarë të administratës ndërkombëtare dhe përfaqësues të qeverisë së Kosovës, ndërsa si e tillë, ideja nuk përkrahet as nga një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se kreu shtetëror serb, mbështet idenë që zgjedhjet lokale në komunat e Kosovës ku shumicën dhe pushtetin e kanë serbët, të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale në Serbi. Në këtë kuadër, ai mbështet vendimin e mëhershëm që serbët të bojkotojnë zgjedhjet në Kosovë, të cilat parashihet të mbahen më 17 nëntor.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, i radhitur në vijën ekstreme të politikës serbe në Kosovë, thotë se në këtë mënyrë do të zgjidheshin përfaqësuesit legjitim të komunitetit serb në Kosovë "Mendoj se do të ishte më e logjikshme që këto zgjedhje të shpallen nga Kuvendi i Serbisë ose që ato të mbahen nën mandatin e organizatave serbe, institucioneve dhe partive politike," thotë Milan Ivanoviq. Sipas tij, kjo do t'i pamundësonte disa udhëheqësve të vetëshpallur që të përfaqësojnë interesat e komunitetit serb.

Mirëpo, përfaqësues të UNMIK-ut, thonë se vetëm administrata ndërkombëtare është përgjegjëse për të mbajtur zgjedhje në Kosovë. Rusell Geekie, është njëri nga zëdhënësit e UNMIK-ut. "Nën mandatin e rezolutës 1244 vetëm UNMIK-u ka autoritetin të organizojë zgjedhje në Kosovë. Në këtë linjë, përfshihen edhe zgjedhjet lokale dhe mund të cilësohen të vlefshme vetëm ato që i ka shpallur shefi i UNMIK-ut, që të mbahen me 17 nëntor në Kosovë", thotë Rusell Geekie. Sipas tij, çfarëdo zgjedhjesh tjera që mbahen në Kosovë nga ana e Serbisë, bien ndesh me rezolutën 1244 dhe në këtë linjë, Serbia si anëtare e OKB-së duhet të respektojë këtë rezolutë.

Edhe përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thonë se ideja për mbajtjen e zgjedhjeve paralele serbe në Kosovë dëmton interesat e vet sebëve të Kosovës dhe si e tillë mund të destabilizojë vendin.

Edhe një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, kundërshtojnë idenë e oraganizimit të zgjedhjeve paralele nëpër komunat më shumicë serbe në Kosovë. Ata mendojnë se një ide e tillë do të shënojë mosrespektim të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, kundërshtim të rezolutës 1244 që automatikisht thonë ata, dëmton betejën e Beogradit për të respektuar të drejtën ndërkombëtare mbi Kosovën.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW