1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova si Qiproja?

15 Gusht 2017

Oliver Ivanovic, pavarësisht kërcënimeve dhe gjykimit (16.8), do të kandidojë për zgjedhjet komunale në Kosovë. Ai beson se demarkacioni dhe njohja nuk janë zgjidhje e duhur për Kosovën dhe propozon "modelin e Qipros".

Kosovo Wahlen
Fotografi: Bojan Slavkovic

DW: Në diskutimin aktual për Kosovën ju përkrahni mendimin që Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së pa pranuar pavarësinë e Kosovës, pikë që sipas jush nuk duhet hequr dorë. Çështja e Kosovës do të mbyllet atëhere kur të gjendet një zgjidhje e duhur. Ç'do të thotë kjo në të vërtetë?

Oliver Ivanoviq: Sa për Kosovën, unë besoj se zgjidhje mund të jetë "modeli i Qipros", për arsye se situata është shumë e ngjashme me atë të Qipros. Unë mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë për disa arsye, së pari zgjidhja e tanishme nuk është përfundimtare dhe nuk do të jetë përfundimtare përderisa Serbia nuk e pranon atë. Jo vetëm kjo qeveri, po as edhe ndonjë qeveri tjetër në të ardhmen nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës si zgjidhje përfundimtare. Negociatat në Bruksel mund të vazhdojnë edhe 15 ose 20 vjet të tjera, por kjo nuk do të zgjidhë asgjë, sepse askush nuk do të lëvizë nga pozita e vet themelore. Në këtë situatë shqiptarët e Kosovës kanë një ndjenjë se ata janë të pavarur dhe se për këtë nuk duan as edhe të negociojnë. Tjetra arsye është se ata gjenden në turbullira politike që do të zgjasin të paktën një dekadë ose dy cikle zgjedhore. Dhe unë nuk shoh asnjë motiv të veçantë se përse Serbia nuk ka opcion tjetër, me përjashtim të njohjes së Kosovës. Serbët nuk do ta pranojnë këtë, sepse kjo është një çështje me rëndësi të madhe për serbët që jetojnë në Serbi, për ata që jetojnë në Kosovë dhe Metohi por edhe për të gjithë serbët që jetojnë kudo jashtë vendit në Perëndim, apo Amerikën e Jugut e kudo që jetojnë. Pra, në këtë situatë ne kemi dy pjesëmarrës kryesorë në bisedimet, ku asnjëri nuk mund të lëvizë nga pozita e vet themelore.

Çfarë mendoni lidhur me faktorin ndërkombëtar?

Sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, çfarëdo që mund të përfaqsojë, para së gjithash mendoj për sfidat me Rusinë dhe Kinën. Aktualisht ka shumë sfida të tjera, dhe unë mendoj se çështja e Kosovës mund të shtrohet përsëri në tryezën e bisedimeve deri sa të zgjidhjen disa çështje tjera. Ne serbët dhe Serbia duam që kjo çështje të zgjidhet mirë, për të mos lënë gjeneratat pas nesh për t'u marrë me këtë çështje përsëri ose kjo të jetë bërthama e një konflikti të ri. Pra, ka interes në të gjitha anët, ndaj na duhet një qasje pak më ndryshe. Kështu që unë mendoj se prirja jonë për të shkuar në BE duhet të përdoret pozitivisht si një mundësi për një ndryshim serioz në vetëdijen në mesin e serbëve dhe se në këtë drejtim Serbia duhet të ndihmohet, e jo të pengohet duke vendosur disa kushte të pamundura.

Sundimi i ligjit dhe lirisë së medias duhet të jenë prioritetet për Serbinë. McAllister e ka theksuar kohët e fundit këtë, por Presidenti i Serbisë Vuçiç kundërshton...

Unë nuk e di se si rrodhi biseda e tyre kështu që nuk mund ta komentoj. Por unë e di se sundimi i ligjit kërkohet nga qytetarët e Serbisë, pavarësisht nga BE-ja. Ne kemi nevojë për të rregulluar shtetin e së drejtës dhe lirisë njerëzore, sepse është e rëndësishme për qytetarët tanë, dhe jo për shkak se atë e kërkon ndonjë burokrat nga BE-ja. Sundimi i ligjit përmirëson mjedisin ekonomik dhe sigurisht ndikon në tërheqjen e investimeve të huaja. Çështja e Kosovës? Kjo do të zgjidhet në momentin kur ne të jemi gati. Kur them ne, mendoj për Serbinë dhe shqiptarët e Kosovës.

Deri më tani janë diskutuar tre skenarë: Status Quo - asgjë nuk do të ndryshojë deri sa kushtet të jenë plotësuar për një zgjidhje përmes dialogut. E dyta është ndarja e serbëve dhe shqiptarëve. Opcioni i tretë është njohja e Kosovës. Çfarë mendoni për këtë?

Mendoj se opcioni im është më afër realitetit. Nevoja për bisedime midis Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës ka qenë gjithmonë e madhe, dhe tani është ndoshta edhe më e madhe. Prandaj, këto bisedime duhet të funksionojnë për zgjidhjen e problemeve më të vogla të harmonizojnë pikëpamjet e tyre, për të lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit, si dhe komunikimin në të gjitha format e tij. Unë mendoj se Serbia nuk mund të përballojë që të shkelë kushtetutën e vet, e të njohë pjesën jugore të Kosovës. Ndarja e shqipëtarve dhe serbëve është zgjidhje, e cila vetëm në hartë duket mirë. Në praktikë dhe në jetë kjo do të thotë se Serbia e njeh atë pjesë të Kosovës, që për identitetin tonë është shumë e rëndësishme. Në veri janë vetëm Manastiri Banjska dhe Sokolica. Çdo gjë tjetër është në jug.

Lista Serbe, e cila është e afërt me autoritetet e Beogradit mund të jetë vendimtare në zgjedhjen e kryeministrit të Kosovës e me sa duket ai do të jetë Haradinaj. Beogradi ka kërkuar burgosjen e tij zyrtarisht në Interpol. A nuk është ky një paradoks?

Quhet paradoks, por kjo është jeta. Por askush nuk mund t'i zgjedhë bashkëbiseduesit në qoftë se duhet të zgjidhet një çështje e tillë. Kjo do të thotë se për të gjithë popullin shqiptar duhet të flasin të zgjedhurit e tij si përfaqësues. Kjo vlen edhe për listën serbe, ata nuk munden të ndikojë në zgjedhjen e njeriut që shqiptarët dëshirojnë. Nëse shqiptarët, duan të përfaqësohen nga ai atëhere kjo është zgjedhja e tyre.

Për cilën palë është më i përshtatshëm eliminimi Oliver Ivanoviq nga skena politike, për atë shqiptare apo serbe?

Unë nuk dua që të spekuloj. Nuk ka dyshim se dikush do të përfitojë nga mungesa ime, kështu që ata fituan zgjedhjet. Nuk ka dyshim se shqiptarët ishin të irrituar nga një zë kritik nga veriu. Por kjo s'do të thotë se ata janë ata që e kanë organizuar këtë. Për mua është e rëndësishme që të lirohem nga akuza që më ka poshtëruar si njeri. Misioni ndërkombëtar është ai prej të cilit pres drejtësinë, dhe se duhet të na mësojë se si të aplikohet ligji, por në këtë rast ky mision ka vepruar pak ndryshe. Unë shpresoj ata do ta korrigjojnë gabimin në rigjykim dhe që të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse ata janë serbë apo shqiptarë, të kuptojnë se e gjitha kishte të bëjë me një prapavijë politike. Dhe të kuptojnë se unë jam më i fortë dhe se unë kam miq të mirë, dhe ka mjaft dëshmi që kam bërë absolutisht të kundërtën e asaj për çfarë unë jam akuzuar.

Kë vlerësoni ju në skenën politike shqiptare?

Unë vlerësoj shumicën e tyre. Por unë vlerësoj aftësitë e tyre dhe jo normat morale të tyre. Thjesht vlerësoj aftësinë e atyre si udhëheqës të palës shqiptare dhe mendoj se ata duhet të trajtohen si politikanë të rëndësishëm. Por vlerësoj më shumë brezin e ri në anën shqiptare, me ta kam pasur më shumë kontakt. Për shkak të mospjesëmarrjes në luftë janë më ndryshe. Sidoqoftë ende rrjedh shumë ujë nga lumi Ibër, por këta njerëz nuk do të jenë në pushtet.

 

Oliver Ivanoviç, një politikan serb nga Kosova, dhe anëtar i Partisë Social Demokratike. Nga janari 2014 deri në gusht 2016 ai u mbajt në paraburgim në Mitrovicë nën akuza për krime lufte në Kosovë. Ai ka qenë sekretar shtetëror i Serbisë për Kosovën dhe anëtar i Qendrës Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë.