1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova të jetë shembulli i parë për bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet BE-së dhe NATO-s

Anila Shuka9 Nëntor 2006

Në një fjalim parimor të mbajtur të mërkurën në mbrëmje në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel vuri në dukje se zgjidhja e statusit nuk duhet të sjellë pasoja negative ndaj Serbisë, Maqedonisë e Bosnjë Hercegovinës

Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Një nga katër temat kryesore të Gjermanisë në krye të BE-së do të jetë politika e jashtme dhe e sigurisë. Si një farë testi për njëzëshmërinë e BE-së në këtë sektor do të shërbejë Kosova.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e konsideroi Kosovën, si një detyrim të pashmangshëm për BE-në: "Duam apo s'duam, ne do të duhet të konfrontohemi me detyra të reja, para së cilave nuk do të mund t'i mbyllim sytë, e të cilave nuk mund t'iu shmangemi. Njëra prej tyre është afërmendsh Kosova. Para saj nuk duhet t'i mbyllim sytë kurrsesi!"

Merkel vuri në dukje se gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën është tejet e komplikuar si në Kosovë vetë, ashtu edhe në lidhje me vendet fqinjë: "Nuk duhet të ndodhë që të stabilizojmë një pjesë kundrejt çmimit të destabilizimit të pjesëve të tjera", apeloi kancelarja gjermane. "Raporti ndaj Serbisë është i komplikuar. Pasoja mund të ketë në Maqedoni, në Bosnjë-Hercegovinë, prandaj duhet të veprojmë me shumë kujdes, por pa e ndalur procesin," - shtoi ajo më tej.

Zgjidhja e statusit të Kosovës do të shoqërohet me misionin deri tani më të madh civil të politikës së mbrojtjes dhe sigurisë në BE. Si fushat kryesore të përqendrimit të këtij misioni ajo veçoi sektorin juridik dhe atë të brendshëm: "Pasi Kosova do të duhet të bëhet e aftë për të vepruar," - argumentoi më tej kancelarja gjermane.

Politika evropiane e mbrojtjes dhe sigurisë lypset të bashkëpunojë me Naton pa grindje e kontradikta. Koordinimi i veprimeve do të jetë parimi bazë i këtij bashkëpunimi. "Në asnjë mënyrë nuk duhet ta kuptojmë politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian si diçka që është kundër Partneritetit Transatlantik." Kosova do të jetë shembulli i parë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet BE-së dhe Nato-s," theksoi kancelarja gjermane.

Merkel tha më tej, se Gjermania do të vazhdojë të mbajë përgjegjësi në Kosovë. "Nuk mjafton të japësh këshilla politike, por duhet edhe angazhim për zbatimin e tyre," theksoi më tej kancelarja.

Në fjalën 40 minutëshe të mbajtur në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme, kancelarja gjermane përmendi edhe tri tema të tjera, për të cilat Gjermania do të angazhohet në mënyrë të veçantë në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm: Nevojën për transparencë në marrëdhëniet tregtare dhe liberalizimin e tregtisë botërore, mbrojtjen e klimës, si edhe krijimin e një tregu të përbashkët evropian në fushën energjetike.

Gjithashtu ajo premtoi se në cilësinë e kryetares së radhës së BE-së do të angazhohet për të nxitur procesin e miratimit të kushtetutës së re evropiane. Nisur dhe nga publikimi i raportit të Komisionit Evropian për Turqinë ajo bëri thirrje që Ankaraja deri në fund të vitit ta ratifikojë ribashkimin doganor me Qipron, "përndryshe BE-ja do të ndërmarrë konsekuencat e nevojshme."