Kosova, Turqia, Ukraina duhet të presin për vizat
11 Qershor 2016Zyrtarisht ministrat e Brendshëm të BE në takimin e tyre në Luksemburg të premten (10.06) nuk vendosën për asgjë. Megjithatë është e qartë se liberalizimi i vizave për Turqinë, Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën nuk do të bëhet aq shpejt sa mendohej. Megjithëse Turqisë iu premtua liberalizimi i vizave në kuadër të paktit të refugjatëve me BE më 1 korrik, ministrat e Brendshëm ende nuk shohin plotësimin e kushteve. Një diplomat i BE-së thotë se „vendimet për vizat nuk merren në një hapësirë boshe, por merren në kuadër të konteksteve politike.“ Për shkak të zhvillimeve politike në Turqi, presionit ndaj opozitarëve kurdë në parlament, fyerjeve ndaj deputetëve me origjinë turke në parlament, ende nuk ka ardhur koha për një vendim.
Nga ana tjetër Turqia nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore. KE i kërkon Turqisë zbutjen e ligjeve kundër terrorit. Një raport i ri i BE-së pritet të martën (14.06). Sekretarja gjermane e Shtetit, Emily Haber i qëndroi pikëpamjes gjermane se marrëveshja për ripranimin e refugjatëve nuk ndikohet nga grindja për vizat. “Nuk kemi arsye të mendojmë, se nuk do të respektohen ujditë. Po punojmë së bashku me shtetet anëtare, Komisionin Europian e Turqinë“, thotë Haber që përfaqësoi në Luksemburg, ministrin e Brendshëm gjerman,Thomas de Maiziere.
Turqia duhet të presë
Afati që i ishte premtuar Turqisë ishte 1 korriku. Këtë nuk mund ta respektojmë dot, thotë ministri i Brendshëm austriak, Wolfgang Sobotka për Deutsche Wellen. „Nëse do kemi liberalizim të vizave në këtë situatë, si e shohim tani në parlamentin turk, atëherë shumë qytetarë kurdë-turq do të kërkojnë azil, sepse nuk kanë siguri. Kjo do të shtonte një barrë të re, e cila duhet sqaruar më parë“, thotë Sobotka.
Për liberalizimin e vizave duhet të japë „Po“-në e tij edhe Parlamenti Europian. Por në PE atmosfera nuk është e mirë, për shkak të politikës megalomane të presidentit turk, Erdogan. Parlamenti duhet të miratojë edhe një mekanizëm emergjence në legjislacionin për vizat, në rast të rritjes së papritur të numrit të azilkërkuesve. „Për ne është e qartë se duhet të kemi mundësi korrigjuese, në rast të keqpërdorimit të lirisë së vizave. Kjo nuk drejtohet kundër asnjë vendi, por duhet të sigurojë, që ne kemi mundësi të korrigjojmë, në rast keqpërdorimi“, thotë sekretarja gjermane e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Emily Haber.
Pakti me Turqinë në rrezik?
Duket e pamundur që Parlamenti Europian të miratojë këtë mekanizëm në një kohë të shkurtër, në seancën e fundit të qershorit, para pushimeve të verës në korrik. Kjo do të thotë se vendimet e tjera shtyhen për në shtator. Diplomatët e BE-së janë të mendimit, se një liberalizim i vizave për qytetarët turq më së herëti është i mundshëm në shtator. Turqia i drejton kërcënime BE-së, se nëse nuk arrihet liberalizimi i vizave, Turqia do të shfuqizojë paktin për refugjatin. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu e përsëriti këtë kërcënim të martën (07.06).
Shqetësime për plotësimin e kushteve, ministrat e Brendshëm kanë edhe për Gjeorgjinë. Por ashtu edhe për Kosovën, Ukrainën ministrat e Brendshëm nuk vendosën përfundimisht. As qytetarët nga Kosova nuk do të gëzojnë dot liberalizimin, pa u futur mekanizimi i emergjencës. Një diplomat i BE-së u shpreh se për këto vende nuk ka ndonjë nxitim, sepse asnjëherë nuk është përmendur një afat i caktuar. „Vende të ndryshme kanë rezerva të caktuara. Duhet të largojmë njëherë këto rezerva. Këtu nuk bëhet fjalë për shpejtësi, por për siguri, me qëllim që situata delikate në hapësirën e Shengenit të mos rëndohet edhe më shumë“, thotë ministri i Brendshëm austriak, Sobotka.
Komisioni Europian është shprehur për realizimin e kritereve politike dhe teknike për Gjeorgjinë, por Gjermania ka shprehur rezerva. Numri i vjedhjeve e veprave të tjera penale që kryhen nga gjeorgjianët në Gjermani është rritur shumë. KE-së i kërkohet të marrë statistika edhe nga vende të tjera dhe të bejë vlerësimet përkatëse. Ndërsa për Ukrainën, megjithë plotësimin e kushteve teknike, sipas KE-së, në qarqet e ministrave, thuhet se atmosfera politike në këtë vend mbetet problematike.