1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultimet ndërqeveritare Shqipëri - Maqedoni e Veriut

14 Nëntor 2022

Në Shkup zhvillohen konsultimet mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kryeministri Kovaçevski: "Të dyja vendet ndajnë një qëllim të njëjtë që ka të bëjë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian."

Konsultimet ndërqeveritare Shqipëri - Maqedonisë së Veriut
Konsultimet ndërqeveritare Shqipëri - Maqedonisë së VeriutFotografi: Petr Stojanovski/DW

Në konsultimet e përbashkët ndërqeveritare në Shkup (14.11) mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut (RMV), kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi lidhur me procesin e integrimit europian, se RMV i ka përmbush të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarsim në BE.

"Tani çdo gjë është në duart tona. Presim që deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe shpejt të ecim drejt unionit. Me anëtarësimin do të sigurojmë një jetë më cilësore për të rinjtë tanë.Ta ndihmojmë njeri-tjetrin, ky është takimi i dytë midis qeverive në Shkup dhe Tiranë, në këtë mënyrë e avancojmë bashkëpunimin midis nesh, në një kohë sfidash dhe krizash”, u shpreh kryeministri i RMV-së Kovaçevski.

Shkup: Kovaçevski dhe Rama nënshkruajnë disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimiFotografi: Petr Stojanovski/DW

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke iu referuar në Shkup samitit të radhës të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, nënvizoi: Në rajon nuk ka rrugë tjetër për t'u përballur me sfidat dhe vështirësitë përveç bashkëpunimit, krijimin e sinergjive të reja dhe adaptimin me një situate ku të gjithë ne në rajon jemi shumë të vegjël, ndërsa mund të bëjmë shumë për njeri-tjetrin, deklaroi kryeministri shqiptar Rama në mbledhje e përbashkët në Shkup.

"Vendet tona e hapën procesin e bisedimeve dhe në fakt bënë hap të madh para. Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty bashkë. Besoj se aty do të bëjmë më shumë hapa para, me qëllim që Unioni të na përfshijë më shumë në të gjitha përpjekjet që të organizohemi në prag të çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe inflacionit. Nga ana tjetër të ndërtojmë plan të përbashkët që do të na japë mundësi që të shohim sa më larg nga kjo fazë, e cila është shumë e vështirë, e zymtë dhe të cilën duhet ta tejkalojmë”, theksoi  Rama.

Kryeministrat Kovaçevski-Rama kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh dhe memorandume bashkëpunimi. Zëvendëskryeministri Artan Grubi propozoi tre konkluzione shtesë, për të cilat shpreson që të miratohen në mbledhjet e ardhshme mes dy qeverive: Bëhet fjalë për  hapjen e një pike të re kufitare, lidhjen hekurudhore Shkup-Durrës, dhe krijimin e të ashtuquajturit "porti i thatë” në Strugë.

"Kjo do të na mundësonte qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit, dhe vetëm në këtë mënyrë zhvillohen marrëdhëniet vëllazërore dhe të afërta mes nesh”, deklaroi Grubi.

Zv/kryeministrja  e Shqipërisë Belinda Balluku veçoi marrëveshjen e bashkëpunimit energjetik, si ndër më të rëndësishmet për vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Marrëveshja për bashkëpunim energjetik mes dy vendeve është një nga marrëveshjet më të rëndësishme, pasi nuk është thjeshtë një situatë krize apo energjetike që lidhet me ekonominë, ka të bëjë me sigurinë rajonale të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Belinda Balluku.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut