1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kredi për rrugët nga Deutsche Bank

15 Maj 2009

Banka gjermane Deutsche Bank, bëhet financuese e disa projekteve madhore të Shqipërisë në fushën e infrastrukturës. Bashkë me bankën greke Alpha Bank, ajo i ka dhënë një kredi prej 250 milion eurosh Shqipërisë.

Rrugë në Shqipëri
Rrugë në ShqipëriFotografi: DW

Kjo është një kredi sindikale. Quhet kështu sepse në të marrin pjesë një grup apo sindikatë bankash ku Deutsche Bank dhe ajo e Greqisë, Alpha Bank, sigurojnë pjesën më të madhe të kredisë. Me 250 milionë eurot e marra hua pritet, që programi ambicioz i investimeve të Shqipërisë në infrastrukturë, të sigurojë karburantin financiar për të ecur përpara drejt realizimit. Në krye të listës së këtyre investimeve qëndron përfundimi i rrugës Durrës - Kukës, me ndërtimin e segmentit të fundit dhe më të vështirë, Rrëshen- Kalimash.

Burime nga Ministria e Finacave thanë për DW-në, se kredia do të lëvrohet në dy këste. Kësti i parë prej 90 milion eurosh do të lëvrohet brenda këtij muaji, kurse kësti i dytë me më shumë se 155 milionë euro do të lëvrohet brenda qershorit, muaj në të cilin do të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare të rradhës.

Deutsche Bank, Selia në FrankfurtFotografi: bilderbox

Marrja hua nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe jo nga bankat vendase duket se është një zgjedhje e menduar e qeverisë së Tiranës, për të ruajtur stabilitetin financiar në Shqipëri dhe zvogëluar ndjeshëm nevojën e saj, për të financuar buxhetin e shtetit nga tregu i brendshëm financiar.

Kredia prej 250 milion eurosh, rezulton të jetë më e shtrenjta në gjithë historinë e finacave të Shqipërisë. Me normat e tanishme të eurobor-it interesi i kredisë pritet të jetë 11,3 përqind. Një normë e tillë interesi është dy herë më e lartë se ajo për kredinë 230 milion eurosh, që qeveria e Tiranës mori vitin e kaluar ng dy banka greke, përsëri për të finnacuar rrugën Durrës- Kukës.

Ministri i Financave, Ridvan Bode i gjen argumentat kryesore të një përqindjeje tëtillë interesi tek tregu financiar ndërkombëtar. "Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut. Prandaj në treg nuk mund të flitet kurrë, nëse një kredi u muar shtrenjtë apo lirë. Për këtë kredi qeveria ka diskutuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore. Sugjerimi i tyre ka qenë i tillë, që e konsideron marrjen e një kredie në tregun ndërkombëtar një sukses shumë të madh. Pasi për BB dhe FMN, nuk ka rëndësi norma e interesi,t me të cilën Shqipëria merr një kredi por fakti që e merr sepse sot nuk ofrohen para." tha Ministri i Finacave, Ridvan Bode. Nga ana tjetër kjo kredi shihet nga qeveria edhe si një lloj injektimi për tregun, pasi jep garanci për stabilitetin e kursit të këmbimit dhe furnizon tregun me likuiditet.

Por eksperti i ekonomisë Sherif Bundo, mendon ndryshe. Sipas tij kredia prej 250 milion eurosh , që do të përdoret për përfundimin e rrugës Durrës- Kukë,s nuk do të ketë ndikime të tilla pozitive sidomos në zhvilimin ekonomik të vendit, pasi ajo po merret pë të kapërcyer vështirësitë që po has qeveria në realizimin e programit të saj të investimeve. "Nevoja për një huamarrje të tillë është e lidhur me emergjencat që ka buxheti i shtetit dhe për rrjedhojë është e lidhur me afatet, objektivat, strategjitë që ka projektuar dhe kërkon të zgjidhë qeveria," thotë Sherif Bundo.

Një rritje e madhe ekonomike e vendit në vitin 2009, do të mund të përligjte normën e interesit prej 11.3 përqind. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje prej 0,4 përqind, të GDP ose Produktit të Brendshëm Bruto, nga 6,8 përqind që ishte në vitin e kaluar. "Nuk jam i sigurt, nëse kjo kredi do të prodhojë apo gjenerojë një rritje ekonomike të begatë, që të justifikojë norma të tilla interesi," tha eksperti në fushën e ekonomisë, Sherif Bundo.

Qeveria Berisha ka publikuar si kohën e përfundimit të rrugës Durrës- Kukës, fundin e muajit qershor.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama