1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kredia për Greqinë dhe zgjerimi i EFSF - Takimi i ministrave të financave të Eurozonës

30 Nëntor 2011

Forcimi i planifikuar i fondit të krizës për euron, EFSF, kësti i radhës i kredisë për Athinën, dhe reformat në Itali, ishin në qendër të takimit të ministrave të financave të Eurozonës të martën në Bruksel.

Pamje simbolike - euro e rrezikuar nga kriza e borxheve në Eurozonë
Fotografi: picture alliance/ZB

Pasi kryetari i partisë konservatore greke Nea Dimokratia, Antonis Samaras, njoftoi vullnetin e tij për reforma, asgjë nuk e pengonte më dritën e gjelbër të ministrave të financave të Eurozonës, për transfertën e ardhshme miliardëshe për Greqinë. Sinjali për miratimin e këstit të ardhshëm të kredisë ishte dhënë që në fund të tetorit. Por atëherë ish-kryeministri Papandreu vuri sërish gjithçka në pikëpyetje, duke njoftuar mbajtjen e një referendumi popullor. Tani Greqia do të jetë sërish e aftë të shlyejë detyrimet e saj, të paktën njëherë për njëherë. Më e vonëta në dhjetor qeveria e përkohshme në Athinë ka nevojë për para, që të mos shpallë falimentin.

Italia në fokus

Por ndërkohë vëmendja në krizën e borxheve është përqendruar tek Italia. Interesat gjithnjë e më të larta për obligacionet shtetërore italiane, e kanë vënë qeverinë e re të kryeministrit Mario Monti me shpatulla në mur.

Trysnia rritet - kryeministri italian Monti duhet të zbatojë shpejt reformatFotografi: dapd

Kryeministri italian i prezantoi të martën (29.11.) pasdite personalisht ministrave të financave të Eurozonës planet e tij. Komisioneri i BE-së për ekonominë Olli Rehn raportoi për përshtypjet nga vizita e tij në Romë. Reformat duhet të zbatohen shpejt për të qetësuar tregjet, tha zëdhënësi i Rehnit, Amadeu Altafaj: "Për këtë duhet të merren masa sa më konkrete dhe të besueshme, që t'i mundësojnë vendit të ketë një buxhet të balancuar deri në vitin 2013. Ashtu siç ka premtuar kryeministri Monti."

Fondi i shpëtimit të euros do të trefishohet

Për të reduktuar trysninë ndaj vende të zhytura thellë në borxhe, ministrat e financave të Eurozonës vendosën edhe të ashtuquajturën levë për fondin e shpëtimit të euros. Me dy instrumente të reja financiare, Eurozona synon të zgjerojë dukshëm mjetet e EFSF-së. Siç u tha, me këto instrumente, shuma në dispozicion të fondit mund të tre - ose katërfishohet. Kështu volumi i fondit mund të arrinte deri në 1 bilion euro.

Nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të sjellë qetësi në Eurozonë, mbetet tejet e kontestuar. Shefi i eurogrupit, Jean-Claude Juncker sheh si një nga rrugët për daljen nga kriza, një vendim të vendeve të euros për obligacione të përbashkëta shtetëtore, të ashtuquajturat eurobonde.

Gjermania kërkon ndryshim të marrëveshjes së Lisbonës

Atëherë vendet e veçanta nuk do të sulmoheshin më aq lehtë nga tregjet, mendon kryeministri luksemburgas. Sipas tij një treg për obligacione të përbashkëta do të ishte shumë më tërheqës për investuesit. Por Gjermania kundërshton me rreptësi instrumente të përbashkëta borxhi. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, deklaroi: "Çdo debat i tillë keqkuptohet në vendet me probleme buxhetore, pra që do t'ju duhet të bëjnë më pak përpjekje."

Qendrim i prerë - Gjermania refuzon eurobondetFotografi: AP

Qeveria gjermane refuzon edhe propozimin për të bërë Bankën Qendrore Evropiane (ECB), shpëtimtaren e fundit. ECB mund t'i qetësonte menjëherë tregjet, nëse do të njoftonte se do të blinte vetë titujt italianë apo spanjollë të borxhit, për të cilët nuk ka blerës. Por Gjermania sheh këtu një shkelje të parimeve bazë të unionit monetar - dhe paralajmëron ndaj rrezikut të një hiperinflacioni. Në vend të kësaj ministri gjerman i Financave luan kartën e ndryshimit të marrëveshjeve të BE-së: "Çdo vend anëtar duhet të bëjë detyrat e shtëpisë, dhe këtë duam ta garantojmë tani me anë të ndryshimeve të marrëveshjes."

Qeveria gjermane propozon riformulimin e një protokolli në marrëveshjen e Lisbonës, i cili rregullon bashkëpunimin në Eurozonë. Vendet, të cilat nuk kursejnë sa duhet, do të kërcënoheshin atëherë nga sanksionet. BE ka ashpërsuar ndërkohë të ashtuquajturin pakt të stabilitetit dhe rritjes. Tani Komisioni i BE-së ka të drejta për të ndërhyrë në fazë të hershme kur një vend devijon nga kursi i përcaktuar dhe bën më shumë borxhe nga sa lejohet. Tani Gjermani synon t'i ashpërsojë më tej rregullat për vendet e Eurozonës. Por mbetet e kontestuar nëse këto masa mjaftojnë për të rifituar besimin e humbur në Eurozonë.

Autor: Wolfgang Landmesser / Eliana Xhani

Redaktoi:Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW