Troika do të thotë fjalën e fundit se ku dhe si do të bëhen shkurtimet
17 Janar 2012Kryeministri grek Llukas Papadhimos foli shkoqur dhe pa hezitimin më të vogël për vendosmërinë e qeverisë së tij: “Më e preferueshme është ekzistenca e bizneseve të hapura, me paga pak më të ulëta, me konsensusin e të dyja palëve, sesa biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”. Edhe këto masa që tingëllojnë realiste, në kushtet e recesionit të thellë ekonomik dhe me rreth 1 milion të papunë, për fat të keq imponohen nga troika për nënshkrimin e marrëveshjes së re të ndihmës kolosale prej 130 miliardë eurosh.
Pa masa strukturore Greqia nuk mund të kreditohet më tej
Gjërat janë shumë të thjeshta: që Greqia të mund të vazhdojë të kreditohet duhet që ekonomia e saj të bëhet më kompetitive, duke ulur vetëkuptohet koston e punës për shërbim dhe produkt. Këtë gjë e di mirë në radhë të parë ministri i Zhvillimit, Kompetivitetit dhe Marinës Tregtare Mihalis Hrisohoidis, i cili njëkohësisht shprehet autokritik që “kjo nuk ishte bërë më parë dhe nga vetë grekët”: “Për fat të keq janë ata që thonë, bëni ndryshime strukturore, modernizoni ekonominë, shtetin, reduktoni kostot, bëhuni më kompetitivë për njësi” thekson ministri, që e pranon se në qoftë se të gjitha këto do të ishin bërë me kohë dhe siç duhet, “nuk do të ishte e nevojshme që të bëheshin shkurtime horizontale pagash dhe pensionesh”.
Një ekonomi konsumi dhe shërbimesh nuk mund të jetë kompetitive
“Të fillojë të prodhojë sërish ekonomia, kjo është baza e kompetivitetit” i thotë DW ekonomisti dhe analisti Dhimitris Kazaqis, që jep një tablo të zymtë të shndërrimit shkatërrimtar të ekonomisë greke në një ekonomi konsumi dhe shërbimesh. Sipas tij, në qoftë se 25 vjet më parë kontributi i industrisë në GDP-në ishte 27-29% sot është 14%, kurse i bujqësisë nga 10% sot është 2%. “Të ashtuquajturat shërbime të llojit parazitar, si spekulimet me paranë, bursa dhe transaksionet e pasurisë së patundshme nga 14% sot kanë arritur afër 60%” thotë Kazaqis, që në frymën e oponencës së tij të njohur ndaj programit të kursimeve i konsideron reduktimet e pagave të sektorit privat një tjetër “fiasko” të kursit të ndjekur.
“E drejta për punë dhe pagë dinjitoze nuk janë komoditet”
Për profesorin e së Drejtës së Punës Aris Kazakos po synohet një “zhvleftësim i brendshëm”, për të cilin nuk mund të thuhet lehtë se bëhet me qëllime spekulative nga të huajt apo parallinjtë vendas për të blerë badihava biznese dhe prona që kriza së shpejti do t'i nxjerrë në ankand. “Preferoj të flas për rezultatet e kësaj politike dhe rezultati është ky, recesion më i thellë dhe varfërim më i madh i shtresave të tëra” thotë Kazakos dhe shton se “e drejta për punë dhe një pagë dinjitoze nuk janë komoditet por të domosdoshme për një jetesë të denjë por edhe për vënien në eficiencë të ekonomisë”.
Një ekonomi nuk bëhet kompetitive me paga Indie dhe Sudani
Terreni ofrohet për oponencë të ashpër nga e majta që thekson se kompetiviteti presupozon 100 faktorë të tjerë si teknologjia apo mungesa e korrupsionit dhe burokracisë që i kanë vendet e zhhvilluara si Gjermania dhe aspak paga të ulëta që i ka India apo Sudani. “Në qoftë se zoti kryeministër doni të na bëni Indi ose Sudan, atëherë nuk është e nevojshme të bëhet me ndihmën e fuqive të huaja, mund ta bëjmë edhe vetë” theksoi kreu i partisë së majtë SIRIZA Aleksis Cipras. Vetë partnerët qeveritarë të së djathtës dhe nacionalistëve janë deklaruar kundër paketës së paralajmëruar me shfuqizimin e pagës minimale (751 euro), prerjen e dy pagave suplementare dhe “ngrirjen” e çdo shtese deri në vitin 2015. “Nuk do të votojmë asgjë që nuk do të ketë vulën e dialogut social” thotë e djathta e Andonis Samaras.
“Troika” do të thotë fjalën e fundit
Por konsensusi i partnerëve socialë nuk është aspak çështje e lehtë për qeverinë e Papadhimosit, ashtu siç i ndodh edhe me kreditorët privatë që pritet të rifillojnë këto ditë negociatat e ndërprera të PSI për “qethjen” e një pjese të borxhit. Sindikatat flasin për “vija” të kuqe dhe paralajmërojnë qeverinë se e drejta për rregullim ligjor në rast se nuk arrihet konsensusi nuk është zgjidhje. “Të braktiset çdo mendim për rregullim ligjor” paralajmëroi në tone ultimatumi presidenti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë Janis Panagopullos, që ndërkohë të mërkurën ulet në tryezën e dialogut të partnerëve socialë me organizatat e punëdhënsve dhe sindikatave. Por qeveria nuk e fsheh se edhe marrëveshje të arrihet është “troika” ajo –të premten mbërrijnë dhe krerët e saj në Athinë- që do të thotë fjalën e fundit se ku dhe si do të bëhen shkurtimet dhe çdo të bëhet me pagën minimale.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Elert Ajazaj