Kremtja e të korrave në Gjermani - Festa për dhuratat e tokës
1 Tetor 2011
Fushat dhe arat janë bosh. Të korrat kanë përfunduar. Frutat e llojllojshme zbukurojnë altarët në kisha ku nuk mungojnë as buka, mjalti dhe vera. Fëmijët habiten me larminë shumëngjyrëshe dhe shumë të rritur gëzohen që kanë kontribuar me diçka nga kopshti i tyre.
"Ka me mijëra vjet që ekzistojnë festime laike dhe fetare për të korrat. Kjo do të thotë se traditat datojnë diku nga antikiteti pagan, antikiteti romak apo ai grek. Ose në traditat hebraike. Që nga mesjeta, kemi pastaj edhe traditën e krishterë dhe traditat për festën e të korrave", sqaron mbledhësi i folklorit, Alois Döring.
Por ai nuk mund ta thotë se ku dhe kur saktësisht është kremtuar për herë të parë kjo festë. E sigurt është që festa e falënderimit për të korrat siç nënkuptohet edhe nga vetë emri është një falënderim për ushqimin e nevojshëm për jetesë të cilin na e jep toka. Kjo kremte kujton edhe punën e fermerëve dhe gjithashtu faktin se tek rritja dhe frytdhënia nuk bën pjesë vetëm dora e njeriut. Interpretuar në mënyrë laike bëhet fjalë për motin e mirë ndërsa interpretuar në mënyrën teologjike janë vullneti dhe vepra e Perëndisë përgjegjëse për të korra të pasura.
Kremtja e krishterë e të korrave daton që nga shekulli i tretë. Megjithatë, për një kohë të gjatë nuk ka pasur një datë unike për festimin e saj. Kjo lidhej ngushtë me kushtet e ndryshme klimatike. Në zonat rurale janë të njohura edhe festat laike të korrjes. Ato kanë qenë të përhapura veçanërisht në shekullin e 19-të, thekson Alois Dëring. Për shembull ishte zakon që pronari pasi të kishte tërhequr të korrat e fundit të ftojë për darkë punëtorët e tij. Dhe nuk ishte vetëm darka por pas saj është festuar, kënduar dhe vallëzuar nën një kurorë gjigante e cila zakonisht thurej nga kallinjët e fundit të korrur të drithit.
Popullariteti i kësaj feste ndryshoi me ardhjen në pushtet të nacionalsocialistëve. Ata i dhanë kësaj të kremteje një ngjyrim politik nacionalist. Mbledhësi gjerman i folklorit, Alois Döring:
"Në kohën e nazizmit, festa e të korrave u transformua tërësisht sipas ideologjisë naziste 'të gjakut dhe të tokës' në një festë të bujqve gjermanë. U vendos për organizimin e një feste të madhe të përbashkët në Bückenberg afër Hameln-it. Për herë të parë u festua në vitin 1934. Në vitet pasuese këtu tuboheshin fermerët nga i gjithë Rajhu dhe pastaj kur fliste vetë Hitleri, Josef Goebbelsi apo figura të tjera udhëheqëse të asaj kohe, ata brohoriteshin nga fermerët."
Në këtë mënyrë kremta e të korrave e quajtur ndryshe edhe Dita e Bujqëve të Rajhut u caktua nga nacionalsocialistët që të festohet me 1 tetor dhe u shpall festë kombëtare. Kjo ishte një prej ngjarjeve me pjesëmarrjen më masive të njerëzve në kohën e nazizmit. Mbi një milion njerëz morën pjesë në këtë festë.
Pavarësisht nga ky organizim i përkohshëm, por shumë masiv i festës të të korrave nga nazistët, kjo kremte ka vazhduar të festohet deri në ditët e sotme. Si një festë laike por edhe fetare. Në Kishën Evangjelike në Gjermani kremtja e të korrave festohet që nga viti 1773 të dielën e parë pas Ditës së Mihalit më 29 Shtator. Megjithatë, kisha të ndryshme protestante mud të përcaktojnë vetë datën për të festuar. Konferenca e Ipeshkvijve katolikë gjermanë caktoi në vitin 1972 si datë festimi të dielën e parë të tetorit. Megjithatë, famullitë janë të lira që të vendosin vetë se a duan apo nuk duan të festojnë këtë ditë.
Autor: Petra Nicklis / Esat Ahmeti
Redaktoi: Elert Ajazaj