1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Putinizimi" i Evropës Qendrore dhe Lindore

Robert Schwarz2 Tetor 2014

Një çerek shekulli pas kthesës politike në Evropën Qendrore dhe Lindore në disa vende ish-komuniste vërehet një "rollback" antidemokratik.

Gunter Krichbaum MdB CDU
Fotografi: Gunter Krichbaum

Deutsche Welle: Si i vlerësoni zhvillimet në Hungari, Rumani dhe Bullgari edhe në sfondin e krizës së Ukrainës? Kritikët paralajmërojnë për një "putinizim" të këtyre vendeve dhe për një zhvendosje në Lindje. A do të ketë kthim prapa në këto vende nën një ndikim më të fortë rus?

Gunter Krichbaum: Fillimisht duhet të sqarojmë se çfarë lidhim me termin "putinizim". Nëse me këtë kemi parasysh një ndikim në rritje të Rusisë në vendimet në politikën e brendshme dhe të jashtme në vende të caktuara të BE-së, atëherë mund të them se nuk e shoh një zhvillim të tillë. Përkundrazi, pasi të gjithë 28 shtetet e BE-së e kanë mbështetur ashpërsimin gradual të sanksioneve kundër Rusisë. Në Rumani p.sh. rezervat kundrejt Rusisë dhe fantazive pansllave janë tradicionalisht shumë të mëdha. Me frozen conflict në Transnistri Rumania ka para pragut një vatër konflikti të shkaktuar nga Rusia.

Me aneksimin e Krimesë e gjithë arkitektura e sigurisë së rajonit ka ndryshuar. Pra Putini nuk mund të shpresojë këtu në asnjë mënyrë në mbështetje apo simpati. Dhe veç kësaj shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore po shohim aktualisht shumë mirë se anëtarësimi në BE dhe NATO mbrojnë nga agresionet e Putinit. Nëse Ukraina do të kishte qenë anëtare e BE apo NATO, Rusia ndoshta nuk do të kishte guxuar të aneksonte Krimenë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Asnjë nga anëtarët e BE dhe NATO në lindje dhe qendër të Evropës nuk ka mall të bëjë përsëri pjesë në Paktin e Varshavës!

South Stream në BullgariFotografi: picture alliance/ZUMAPRESS.com

Rumania, Bullgaria, Hungaria

Pakti i Varshavës i përket së kaluarës. Por ka varësi ekonomike të cilat kanë ndikim në politikën e këtyre shteteve.

Natyrisht ka shtete të veçanta që janë të lidhura në mënyra të ndryshme ekonomikisht me Rusinë. Kështu disa vende janë të varura ende 100 për qind nga furnizimet ruse më energji. Këtë sigurisht duhet ta kemi parasysh dhe të ndihmojmë të pakësohet kjo varësi. Por kur një kryeministër hungarez për shkak të ndërthurjeve ekonomkme të vendit të tij me Rusinë vë në dyshim publikisht logjikën e sanksioneve të BE-së, të cilat mos harrojmë i ka mbështetur në Këshillin e Evropës, atëherë kjo nuk lë përshtypje të mirë për unitetin e brendshëm të BE-së në këtë çështje.

Nëse ju me "putinizim" keni parasysh disa zhvillime shqetësuese në politikën e brendshme të disa shteteve anëtare të BE, mendoj se termi nuk është i goditur. Asnjë nga kryetarët e shteteve dhe qeverive në Rumani, Bullgari dhe Hungari nuk mund të krahasohet me Putinin, përpjekjet e tij për pushtet dhe sundimin e tij autoritar. Megjitha disa mangësi të gjithë kanë dalë nga zgjedhje demokratike. Megjithatë nuk dua ta fsheh se disa zhvillime në këto vende na ngjallin shqetësim.

Për cilat zhvillime e keni fjalën? Le t'i shohim me radhë dhe ta fillojmë me Rumaninë.

Kryeministri rumun Victor PontaFotografi: Reuters

Këtu për shembull dy vjet më parë u pengua një puç i ftohtë konstitucional dhe kjo vetëm falë ndërhyrjes së fortë të Komisionit të BE-së. Apo dhe plani shumë aktual për të hequr për 45 ditë ndalimin e mbajtësve të posteve në rang komunal të ndryshojnë përkatësinë partiake. Kjo me siguri nuk është rastësi që ndodh pak para zgjedhjeve presidenciale dhe fare qartë synon t'i shërbejë influencimit të zgjedhjeve.

Si është situata në Bullgari?

Atje pas protestash disa muaj të gjata do të mbahen zgjedhje të parakoshme parlamentare. Shkak për këtë nuk është vetëm gjendja e keqe ekonomike por para së gjithash ndarja e shfrenuar e posteve shtetërore tek ithtarë të paaftë të partive. Një sjellje e tillë rrezikon demokracinë, pasi qytetarët humbasin besimin tek shtetit dhe kështu populistët e kanë më të lehtë.

Hungaria është vendi i tretë në qendër të kritikës.

Pikërisht në Gjermani Hungaria është në qendër të kritikës. Shumë nga ato që kritikohen duhen parë megjithatë me diferencim. Nëse në Hungari me 45 për qind të votave është e mundur një shumicë dy të tretash në parlament, kjo kritikohet. Kur me të drejtën elektorale maxhoritare në Britani të Madhe humbasin shumë vota, askush nuk dyshon për demokracinë atje. Ne duhet të kemi kujdes nga reflekset e gabuara.

Por edhe unë shoh në Hungari tendenca shqetësuese. Le të marrim p.sh. ligjin e ri për mediet: përpjekjen e fundit për të vënë më fort nën kontroll mediet e pengoi Komisioni i BE-së. Tani ligji i ri duket se synon të arrijë objektivat fillestarë me mjete të tjera. Duket se në Budapest shumë aktorë nuk e kanë kuptuar përse pati ndërhyrë Komisioni ose nuk e marrin BE-në seriozisht.

Kryeministri hungarez Viktor OrbanFotografi: Reuters

Për mua e rëndësishme për të tre vendet është që mbrojtja e pakicës nga shumica është një element thelbësor i çdo demokracie. Pakica duhet të ketë një shans të ndershëm që në zgjedhjet e radhës të bëhet shumicë. Për këtë përgjegjësi duhet të jetë e ndërgjegjshme çdo shumicë parlamentare aktuale.

"Nevojitet një monitorim i rregullt"

Çfarë mundet dhe çfarë duhet të bëjë BE për të ndalur tendencat antidemokratike?


Këto zhvillimet janë natyrisht një sfidë e madhe për BE-në. Kemi të bëjmë me një çështje besueshmërie pra nëse vlerat evropiane liri, demokraci dhe shtet ligjor janë vetëm predikime për jashtë - për shembull në procesin e zgjerimit - apo marrin ato seriozisht dhe i kemi pjesë të jetës edhe brenda BE-së. Me marrëveshjen e Lisbonës çdo qytetar i një shteti të BE-së është njëkohësisht edhe qytetar i Unionit i cili gëzon të njëjtat të drejta. Pra nuk mund të jemi indiferentë kur p.sh. kufizohet liria e shtypit apo cënohen të drejtat demokratike të parlamenteve të dalë nga zgjedhjet.

Pra ishte e drejtë që ish ministri i Jashtëm Westerwelle së bashku me ministrat e tjerë të jashtëm të BE-së thirrën në jetë të ashtuquajturën iniciatë të shtetit ligjor. Me të duhet të hartohet një procedurë më e thjeshtë për të penalizuar shkeljet e të drejtave themelore në shtetet anëtare të BE-së. Por unë nuk harroj se këtu jemi të detyruar të ruajmë një ekuilibër pasi shtetet anëtarë të BE-së janë shtete sovrane të cilët kanë një hapësirë të madhe veprimi në rregullimin e punëve të tyre të brendshme.

Unë personalisht jam për një monitorim të rregullt të zhvillimit të demokracisë dhe të drejtave themelore në të gjitha shtetet anëtare të BE. Kjo mund të bëhej nga Agjencia Evropiane e të Drejtave Themelore në Vjenë, me porosi të Komisionit të BE-së.

Gunter Krichbaum, CDU, është kryetar i Komisionit për Evropën në Bundestag.