1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krimeja - një vit në duart e Rusisë

Roman Gonçarenko16 Mars 2015

Që prej aneksimit të Krimesë prej Rusisë ka kaluar një vit. Rusia po e zgjeron gadishullin në Detin e Zi në një kështjellë ushtarake. Humbës të rrethanave të reja janë para së gjithash tartarët e Krimesë.

Pllakate Krimeja eshte Rusi
Fotografi: Reuters/A. Bainozarov

Në kohë me furtunë në rrugën e Kerçit, në ngushticën detare në Lindje të Krimesë, ndërpritet lidhja me traget me Rusinë kontinentale. Atëherë krijohen bllokime trafiku me kilometra të gjata. Kur Rusia e aneksoi Krimenë para një viti, rruga e Kerçit u kthye në rrugën më të rëndësishme të furnizimit. Moska dhe Kievi i kanë ndërprerë lidhjet e tjera: nuk fluturojnë avionë, nuk qarkullojnë trena pasagjerësh dhe as autobuzë. Ai që kërkon të udhëtojë nga Krimeja në Ukrainë ose anasjelltas është i varur nga firma të vogla private ose ecën në këmbë. Edhe furnizimin me ujë Kievi në pjesën më të madhe e ka ndaluar. Nga Ukraina vjen energji elektrike dhe disa ushqime.

Para pak kohësh, Presidenti rus bëri të ditur në një film dokumentar të televizionit shtetëror detaje për aneksimin e Krimesë. Vladimir Putini pranoi se e kishte vendosur që në fund të shkurtit 2014 "kthimin" e gadishullit dikur rus tek Rusia. Si argumentim, shefi i Kremlinit përmendi rezultate të sondazheve, në bazë të të cilave gjoja 75 përqind e banorëve të Krimesë donin të bëheshin pjesë e Rusisë. Në një "referendum" më 16 mars 2014, i cili u mbikqyr nga ushtarë rusë pa simbole nacionale në uniforma, sipas të dhënave ruse më shumë se 96% u shprehën pro kthimit tek Rusia. Ukraina, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe shtetet perëndimore e dënuan mënyrën e veprimit të Rusisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. 90 përqind e banorëve do të votonin sot sërish për një "ribashkim me Rusinë". Këtë thotë se e ka konstatuar Instituti kërkimor shtetëror WZIOM në shkurt 2015. Kjo shifër nuk gjendet në burime të pavarura. Ekspertët ukrainas kanë dyshim për një vlerë të tillë kaq të lartë.

Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Mokrushin

Pa Apple por ndoshta me armë bërthamore

Ajo që është e sigurtë, është se 2,3 milionë banorët e Krimesë jetojnë në një realitet të ri. Problemet e qarkullimit janë vetëm një gur mozaiku në këtë realitet. Kur Perëndimi vendosi sanksione kundër Rusisë, shumë sipërmarrje amerikane u tërhoqën nga gadishulli. Kështu që atje nuk gjen më sot filiale të rrjetit të restoranteve McDonalds. Visa dhe Mastercard, dy sipërmarrjet më të mëdha të kartave të kreditit nuk u shërbejnë më klientëve të Krimesë. Edhe Apple Store në Krime qenë të detyruara të mbyllen.

Por ndryshimet me siguri më të mëdha ndodhën në sektorin ushtarak. Rusia po e kthen Krimenë me shpejtësi të madhe në kështjellë. Në bazë të të dhënave të mediave shtetërore ruse, numri i ushtarëve rusë në Krime mund të rritet nga aktualisht 25.000 në 40.000. Furnizimet me karburant për Rusinë janë dyfishuar që tani. Rusia po i armatos trupat e saj: me tanke të reja, me anije dhe me avionë. Edhe për një stacionim të mundshëm të armëve atomike spekulohet. Moska nuk e përjashton këtë.

Pagat bien...

Viti i kaluar u karakterizua nga transformime të mëdha: erdhi monedha ruse, punëdhënësit rusë dhe ligjet ruse. Para së gjithash për pagat më të larta duhet të jenë gëzuar fillimisht shumica e njerëzve. Por ndërkohë gëzimi është turbulluar, i tregon Oleg Skromnow (emri i ndryshuar nga redaksia) Deutsche Welle-s." Rrogat ukrainase të atyre që punonin në shtet fillimisht u dyfishuan. Por tani ato janë përshtatur me kontratat ruse të punës dhe situata nuk duket më e trëndafiltë", ankohet programuesi nga qyteti provincial Simferopol. "Gruaja ime, që punon në një spital, tani fiton gjysmën e parave që fitonte më parë, kurse çmimet janë rritur."

Fotografi: DW/J. Vishnevetskaya

Diskriminimi i tartarëve të Krimesë

Ata që refuzojnë më fort ta marrin nënshtetësinë ruse janë me siguri tartarët e Krimesë. Ata konsiderohen humbësit e madh të aneksimit. Herë pas here bëhet e ditur se përfaqësues të këtij minoriteti zhduken. Disa i kanë gjetur të vdekur. Komisari për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Nils Muiznieks i dënoi në një raport të tij raste të tilla. Ka herë pas here lajme se policia ruse dhe shërbimet e fshehta i kërcënojnë tartarët e Krimesë. Shumica e rreth 300.000 tartarëve të Krimesë patën marrë gjatë aneksimit të gadishullit nga Rusia një qendrim pro-ukrainas.