Krishtlindjet ortodokse në Prizren - të parat që festohen në Kishën e Shën Gjergjit nga viti 1999
8 Janar 2011Në prezencën e qindra besimtarëve ortodoksë nga mbarë Kosova, në Kishën e Shën Gjergjit në Prizren për herë të pare që nga viti 1999 është mbajtur të premten liturgjia kryesore e Krishtlindjeve Ortodokse. Liturgjisë së udhëhequr nga peshkopi i ri i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, iu bashkangjit edhe nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq.
Peshkopi i Rashkes dhe i Prizrenit Teodosie, ka shprehur kënaqësinë për kremtimin e Krishtlindjeve në Kishën e Shën Gjergjit në Prizren që nga paslufta, për shkak të qëndrimit të njohur radikal të peshkopit Artemije, tashmë i shkarkuar nga Kisha Ortodokse Serbe. „Dhëntë Zoti që ky fillim i mirë në këtë Krishtlindje Ortodokse, të jetë farë e cila do të sjell fruta të ëmbla“, tha peshkopi Teodosije.
Në liturgjinë kishtare në Prizren ishte prezent edhe nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq. Në deklaratën e tij me nota politike, Gjeliq tha se politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ndryshon dhe Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. "Njëkohësisht, Serbia e di shumë mirë se ne duhet të gjejme zgjidhje për Kosovën që të mund të hyjmë në BE. E njëjta vlen edhe për Prishtinën, sepse Kosova asnjëherë nuk do t´mund të hyjë në BE pa e gjetur një formë kompromisi“, tha Gjeliq. Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije, me rastin e Krishtlindjeve ortodokse u beri thirrje serbëve të shpërngulur që të kthehen serish në vatrat e veta.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi