1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krishtlindjet tradicionale greke

24 Dhjetor 2021

Tradicionalisht për Krishtindlje në Greqi nuk stoliseshin bredha por varka. Tani kjo traditë po ringjallet.

Griechenland | traditionelle Weihnachtsdekoration
Fotografi: imago/ZUMA Press

Kur Janis Bundalá është në punishten e tij, ai e harron kohën. Me orë të tëra punon drurin dhe ndërton anije historike, sipas shkallës së specifikuar dhe me kujdes të veçantë për detajet. 65-vjeçari vjen nga një familje ndërtuesish anijesh. Babai i tij nisi dikur të ndërtonte modele varkash. Rastësisht ajo u kthye në biznes. 

"Në fakt ai i bënte keto modele vetëm për vete. Por njerëzit vinin dhe donin t'i blinin." - tregon Janis.

Fotografi: Wassilis Aswestopoulos/imago images

Në vendlindjen e tij, në ishullin Skopelos, gjithçka ka lidhje me detin. Prandaj nuk është për t'u habitur, që varka luan një rol qendror në kulturën e banorëve të ishullit.

Në dimër edhe në Skopelos njerëzit mblidhen brenda. Edhe Janis dhe vajza e tij Rijina zbukurojne shtëpinë e tyre për Krishtlindje.  Bredhi i gjelbër dhe babadimri apo plaku i Vitit të Ri nuk kanë vend këtu. Ata zbukurojnë me drita një varkë, sipas një zakoni të vjetër, gati të harruar.

"Dikur të gjithë njerëzit këtu i fusnin varkat në shtëpi. Tradicionalisht këtu nuk janë stolisur pemët, por varkat. Kjo me pemët ka ardhur shumë më vonë."

Vetëm pasi shkëlqejnë direkët e varkave në miniaturë, atyre u duket se në ishull kanë ardhur Krishtlindjet.

Fotografi: imago images/ZUMA Wire

Kur unë dhe motra ishim të vogla edhe ne donim të kishim plakun e Vitit të Ri dhe gjithë ato gjëra të magjishme, që kishim parë në filma. Por ndërsa rriteshim, kuptuam rëndësinë e varkave dhe traditën tonë detare. Që atëherë preferojmë këtë alternativë.” - thotë Rijina.

Ata nuk janë të vetmit. Në disa porte ka vite që varkat ndriçojnë përsëri në shkëlqimin e tyre festiv dhe u kujtojnë njerëzve Krishtlindjet tradicionale greke.