Kritere punësimi në Gjermani për mjekë nga Evropa Lindore
2 Janar 2014Një orë mësimi për gjuhën gjermane në qendrën Lucy Romberg në Marl. Mësuesja Hanna Kriese pyet dhe kursantët përgjigjen. Por kur dëgjon më me vëmendje, e kupton se ky është një kurs i veçantë. Kursantët janë mjekë nga Rumania, Shqipëria dhe Rusia. Në qendrën e trajnimit dhe edukimit në Vestfalinë Perëndimore ata mësojnë terminologjinë mjekësore dhe praktikohen në situata nga puna e përditshme në spital.
Gjendja në spitalet gjermane është shumë e tensionuar, sepse në fushën e mjekësisë mungojnë si mjekë edhe infermierë, prandaj në këtë sektor personeli i huaj është i mirëpritur. Medunited Academy është e specializuar për ndërmjetësimin e mjekëve të huaj dhe profesionistëve të tjerë për spitale dhe institucione sociale dhe ka ndërmjetësuar mjekë nga disa vende të Evropës Juglindore, p.sh. Rumania, Greqia, apo Shqipëria dhe Kosova, apo dhe nga Polonia, Rusia dhe që prej krizës së euros edhe nga Spanja.
Zotërimi i gjuhës gjermane si kusht kryesor
Drejtori ekzekutiv, Silvio von Entress, tha për Deutsche Welle-n se profesionalisht mjekët dhe infermierët, që vijnë nga këto vende, janë të përgatitur mirë, "por në fund të fundit është e rëndësishme, se sa mirë e zotërojnë ato gjuhën gjermane, sepse kjo është a-ja dhe o-ja." Para se mjekët vijnë në Gjermani për të punuar, ata duhet të kapërcejnë pengesën e gjuhës. Kusht është, që ata të kenë të paktën nivelin e gjuhës B1, ideale është B2.
Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit që hyri në fuqi më 1. prill 2012 marrja e lejës për të punuar si mjek në Gjermani, nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Megjithatë, mjekët nga vendet jashtë BE-së duhet t'i nënshtrohen një testi aftësie.
Instituti "Sprachwerkstatt" nga Paderborni ofron në bashkëpunim me partnerët e tij kurse gjermanishteje për mjekët e huaj në disa vende. Pas përgatitjes në vendet nga vijnë, mjekët kanë mundësi të marrin pjesë në një kamp gjuhe, si në Marl, për të marë dorën e fundit për ato që kanë nevojë për punën në klinikë apo spital: bisedat dhe sqarimet për pacientët, fletët informuese, përshkrimi i analizave, apo si formulohen epikrizat.
Mundësi të mira specializimi
Andrea Rogozianu dhe Leonard Vasilache vijnë nga Rumania. Andrea thotë se ajo dhe Leonardi kishin në Rumani punë, por paga ishte shumë e vogël. Rubin Kulli dhe Altin Bila janë dy mjekë të rinj nga Shqipëria. Ata tregojnë se në Shqipëri kishin punë, dhe se në Gjermani duan që të bëjnë specializimin.
Në Gjermani nuk është e mirë vetëm pagesa, por edhe mundësitë e arsimit dhe të trajnimit janë më të mira këtu, thotë Ashot Gevorkov, neurokirurgu nga Shën Petersburgu. Ai ka punuar për 12 vjet si neurokirung në Shën Petersburg, por në Gjermani shpreson të fitojë përvoja të reja.
Gjatë kursit në Marl, mjekët kanë mundësi të bëjnë praktika të shkurtra edhe në spitale. "Kjo ka përparësi për të dy palët, - thotë Silvio Entress - spitali mund t'i njohë praktikantët dhe anasjelltas edhe praktikanët mund t'u tregojnë mjekëve të spitalit aftësitë e tyre, pa presionin e zakonshëm që ka situata kur dikush jep një intervistë për vend pune."
Të ardhur për të qëndruar
Ndihmë mjekëve të huaj u jepet edhe për të përballuar sfidat me autoritetet e ndryshme në Gjermani: zyrat e të huajve, zyrat tatimore, apo komisionet për provimet mjekësore. "Ne përpiqemi që të organizojmë jo vetëm kurset e gjuhës gjermane dhe t'i ndërmjetësojmë mjekët, por gjithashtu edhe t'u ndihmojmë pak për t'u orientuar në Gjermani," - thotë Andreas Bernhardt nga Medunited Akademy.
Pas kursit të specializuar për mjekë "B2 Plus Med" mjekët e rinj nga Rumania, Shqipëria dhe Rusia kanë gjetur punë në Gjermani.