Dialog mesuesit e fese islame
4 Shkurt 2009Ç'botëkuptim kanë dhe ç'pikëpamje mbrojnë mësuesit e fesë islame në Austri? Cili është qëndrimi i tyre ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut? Këto janë disa nga pyetjet që përpiqet t'u japë përgjigje në punimin e tij të doktoraturës, teologu i fesë islame Muhanad Korhide. Përfundimet e një anketimi që zhvilloi ai në radhët e mësuesve të fesë islame kanë shkaktuar në Austri diskutime të zjarrta. Autori vlet flet për një tendencë shqetësuese:
"Ajo që rezultoi është se mësueset dhe mësuesit e fesë islame e shohin veten në radhë të parë si "agjentë në shërbim të teologjisë. Detyrën e tyre ata e shohin në transmetimin e pareflektuar të përmbajteve fetare për nxënëset dhe nxënësit e tyre."
Në Austri ka më tepër se 380 mësues të fesë islame. Rreth 200 syresh morën pjesë në anketim. Pyetjes nëse e refuzojnë demokracinë, sepse ajo nuk përputhet me fenë islame, ju përgjigjen me po 22 % e tyre, kurse 27% e të anketuarve i hedhin poshtë të drejtat e njeriut, 18% janë për dënimin me vdekje të myslimanëve që heqin dorë nga besimi.
Autori konstaton përmbledhtazi se rreth një e pesta e mësuesve të fesë islame në Austri kanë qëndrim fanatik. Për bashkësinë islame, e cila përfaqëson rreth 400.000 myslimanët që jetojnë në Austri dhe është përgjegjëse edhe për kontrollin e mësimit të fesë, lajme të tilla janë të pakëndëshme. Kryetari i kësaj bashkësie, Anas Shakfeh, i vë në dyshim përfundimet e këtij studimi dhe e konsideron përfundimin e tij të pajustifikuar. Si punëdhënëse e mësueve të fesë islame bashkësia islame nuk pranon asnjë qëndrim anti-demokratik, thotë ai duke shtuar:
"Në rast se ne dimë se njëri nga mësuesit apo mësueset mbrojnë në shkollë apo në klasë mendime të tilla, atëhere ne marrim masa."
Në ambientin e tyre privat mësuesit mund të jenë edhe kundër demokracisë, por kjo nuk ka pse të reflektohet patjetër në mësim, thotë Shakfehu. Adnan Arslani, profesor i pedagogjisë së fesë islame në Universitetin e Vjenës i konsideron qëndrime të tilla si larg realitetit:
"Në praktikë unë nuk mund ta përfytyroj një gjë të tillë, mësimi i fesë nuk është si mësimi i lëndëve teknike, mësimi i fesë është transmetimi i vlerave të brendshme."
Mësimi i fesë islame në shkollat austriake paguhet nga shteti. Mësimi i fesë islame ofrohet në shkollat publike nga viti 1982. Në mungesë të mësuesve të fesë islame të përgatitur në Evropës, shumica e tyre nuk është shkolluar sipas standardeve evropiane. Edhe sa i përket përmbajtes së mësimit, Ministria e Arsimit nuk mund të ndërhyjë, sepse kjo bie ndesh me ndarjen e shtetit nga feja.
"Në Austri garantohet liria e besimit, por kjo liri merr fund aty ku fillojnë ligjet austriake" - thotë Ministrja e Arsimit, Claudia Schmied, e cila ka kërkuar ndërkohë një raport nga bashkësia islame.
Por në rast se do të ketë ndryshime për mësuesit e fesë islame, kjo do të kishte pasoja edhe për mësuesit e feve të tjera, që bazohen në marrëveshjen mes Austrisë dhe Vatikanit në lidhje me ndarjen e kishës katolike nga shteti. Si zgjidhje, partia populiste e djathtë FPÖ ka kërkuar që fesë islame t'i hiqet në Austri statusi i bashkësisë fetare, i miratuar para rreth 100 vjetësh.