Kritika për raketën e Koresë së Veriut
13 Prill 2012Koreja e Veriut pavarësisht nga kritikat e ashpra ndërkombëtare ka bërë përpjekje që të lëshojë një raketë me rreze të gjatë veprimi. Por megjithatë prova ka dështuar. Sipas njoftimeve të vendeve fqinj, edhe Pheniani ka pranuar rënien e një rakete në det pas nisjes. Sateliti nuk arriti në hapësirë siç ishte planifikuar, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të vendit komunist, KCNA.
Shkaqet janë ende të paqarta. Sipas të dhënave të ministrisë koreanojugore të Mbrojtjes raketa shpërtheu menjëherë pas nisjes së saj dhe ra në det. Koreja e Jugut dhe SHBA e dënuan nisjen e raketës si provokim dhe kërcënim i sigurisë rajonale. Ata dyshojnë për një test ushtarak të një rakete ndërkontinentale, që me kokat e saj shpërthyese atomike mund të arrijë deri në Alaska.
Krahas Koresë së Jugut dhe Japonisë, këtë ngjarje e kritikuan si provokim dhe kërcënim të sigurisë në rajon edhe SHBA, Rusia dhe Gjermania. Këshilli i Sigurimit pritet të diskutojë në një seancë mbi situatën në Korenë e Veriut dhe mbi një përgjigje të mundshme ndaj aktit provokues.
Nga Nju Jorku u shpreh edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle për raketën e nisur, por të dështuar të Phenianit: "Ne e dënojmë këtë nisje të raketës. Kjo është një shkelje e e qartë e të drejtave ndërkombëtare", kritikoi ai. "Ne shpresojmë që Këshilli i Sigurimit do të japë një përgjigje të qartë dhe një reagim të qartë për këtë shkelje të së drejtës ndërkombëtare".
Po ashtu ministrat e jashtëm të G8 dënuan lëshimin e raketës koreanoveriore me rreze të gjatë veprimi ditën e premte duke e cilësuat këtë veprim si shkelje të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas të dhënave të veta Koreja e Veriut me raketën donte të lëshonte një satelit për motin në hapësirë.
Autor: Agenturen/ Kujath/ Mimoza Cika- Kelmendi
Redaktoi: Auron Dodi