1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika të ashpra ndaj Izraelit

30 Tetor 2007

Qeveria izraelite po përballet me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit, për shkak të kufizimit të lëndëve energjetike për palestinezët në Rripin e Gazës. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun tha se këto masa nuk janë të pranueshme, sepse kanë përshkallëzuar gjendjen emergjente të njerëzve të pafajshëm. Veprimin e Izraelit e kanë kritikuar edhe Rusia dhe BE. Gjatë një vizite në Jerusalem, Komisionerja evropiane Benita-Ferrero Valdner (Benita Ferrero Waldner) u shpreh: "Dënimet kolektive nuk kanë qenë kurrë zgjidhja e duhur. Shpresoj se nga bisedimet në SHBA do të vendoset një kontekst i ri politik. Mirëpo ne jemi të vetëdijshëm edhe për presionet ndaj popullit, për shkak të goditjeve me raketa." Kundër kufizimeve të metejshme është shprehur edhe prokurori izraelit, Munahem Masus, i cili ka kërkuar që të merret në konsideratë gjendja humanitare. Qeveria në Jerusalem ka hedhur poshtë kritikat me shpjegimin se ka vazhduar furnizimin me ushqime dhe medikamente. Pas një serie sulmesh me raketa, Izraeli të dielën ka vendosur për reduktimin drastik të furnizimit të Rripit të Gazës me lëndë energjetike. Për këto ditë është paralajmëruar edhe ndërprerja e rrymës elektrike.