1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika të reformatorëve ndaj Papa Benediktit të XVI-të në prag të vizitës së tij në Bavari

Hartmut Mesman7 Shtator 2006

Teksa Benedikti i XVI-të u zgjodh në Prill 2005, shumë të krishterë varën shpresa të mëdha tek ai. Papa i ri i preferon suprizat, ndaj duhet t´i lihet pak kohë, dëgjohej të thuhej pas zgjedhjes së tij. Ndërkohë katolikët si dhe protestantët kritikë i kanë relativizuar shpresat e tyre.

Papa do të vizitojë Gjermaninë
Papa do të vizitojë GjermaninëFotografi: AP

Tashmë s´ka shenja që ish-kryepeshkopi të vihet në fokusin e artikujve kryesorë për reformat radikale të tij. Përkundrazi javën e ardhëshme Papa do të pritet me përzemërsi gjatë vizitës në vendlindjen e tij bavareze. Ndonëse vërejtjet kritike ndaj Benediktit mbeten.

Benedikti i XVI-të do të pritet me mjaft entuziazëm në Bavari, kryesisht prej të krishterëve katolikë. Angelika From ndonëse është katolike, nuk është shumë entuziaste për Papën. Mësuesja nga Mainci sot është pensioniste. Përveç kësaj ajo e konsideron veten si diakonë. Sepse është kualifkuar prej teologeve, ndonëse kisha nuk e njeh atë zyrtarisht. Kisha katolike nuk i pranon femrat diakone. Angelika From shpreh keqardhjen, që Papa nuk u kushton vëmendje ideve konstruktive të shumë grave dhe teologjisë feministe: "Ajo që më shqetëson më shumë është, se nuk ka asnjë bisedim, asnjë takim dhe asnjë përballje me teologjinë feminsite. Ndaj unë nuk pajtohem me këtë entuziazëm."

Angelika From ka hequr dorë prej punës në bashkësinë fetare. Ajo madje ka hequr dorë edhe prej shpresës për reformën brenda kishës. Tani ajo angazhohet për dialogun ndërkulturor, por jashtë kishës. Papën ajo e akuzon, se nuk është i hapur për idetë dhe iniciativat: "Ai duhet para së gjithash të diskutojë në nivel intelektual me gratë, me profesoreshat, që janë marrë me çështjen e gruas dhe që kanë punuar shumë këto dyzet vjetët e fundit. Benedikti duhet të dalë një herë prej guaskës shkencore të mendimeve të veta. Nëse ndodh kjo, atëherë mund të shpresoj që diçka do të ndryshojë dikur."

Pak shpresë për reformë në kishën katolike ka edhe Dietgad Heine. Ajo është shtëpiake dhe gjyshe dhe punon në ekipin federal të lëvizjes popullore të kishës "Ne jemi kisha". Ajo dëshiron që Papa: "Të ndërmarrë reformat, të pranojë shugurimin e priftëreshave, të lejojë martesat e burrave që kanë post kishtar, të shfuqizojë detyrimin për celibatin ose të lejojë sërish të divorsuarit për ekuaristinë. Këto janë disa pika, që do të duhej të kishin ndryshuar prej kohësh."

Dietgard Heine është gjithashtu kryetare e shoqatës "Dinjteti i gruas" në Landin e Rajn-Pfalcit. Kjo shoqatë mbështetet prej grave katolike. Shoqata ka qendra konsulence të njohura nga shteti për gratë shtatzëna në vështirësi. Në këto qendra konsulence jepet edhe leja për abortin, gjë që Benedikti i XVI-të e dënon ashpër. Diedgard Heine mendon, se Papa nuk është i drejtë ndaj grave me këtë qëndrim që mban: "Ai i kufizon ato duke thënë: Jo ne nuk japim konsulencë dhe ju duhet t´i përgjigjeni përfytyrimeve tona. Ai nuk i sheh vështirësitë e individëve. Kjo është në fakt pika kryesore që mendoj, se ai duhet ende të mësojë shumë."

Benedikti i XVI-të e ka dënuar vazhdimisht relativizmin moral, që sipas mendimit të tij shfaqet në zhvelftësimin e familjes, në njohjen e të ashtuquajturve martesa homoseksuale dhe në ligjet liberale të abortit. Papa është skeptik ndaj aftësive të njeriut për ta orientuar jetën sipas ideve personale, kritikon teologu katolik Norbert Kopray. Ndonëse Papa përpiqet të theksojë pozitiven e krishtërimit, siç bëri edhe së fundi në kongresin katolik për familjen që u mbajt në Valnecia të Spanjës, "ai foli pozitivisht për familjen. Por njëkohësisht mënyra se si foli ai pozitivisht për lidhjen mes burrit dhe gruas, la të nënktuptohet se ai përçmon lidhjet mes homoseksualëve. Ai mbi lidhje të tilla u shpreh, se nuk janë forma të rregullta të të jetuarit, por një formë e gabuar e ekzistencës njerëzore. Natyrisht që mund të flasësh pozitivisht për diçka me synim që të demaskosh diçka tjetër".

Norbert Korpay tërheq vëmendjen, se shoqëritë demokratike duhet t´i trajtojnë njëlloj të gjithë njerëzit. Në këtë drejtim sipas tij kisha katolike ka një problem. Ndaj ai si teolog dëshiron që Papa të korrigjojë përfytyrimin e tij pesimist ndaj njeriut dhe botës dhe të ketë më shumë besim tek përgjegjësia vetika e njeriut.