1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikun e Kremlinit, Navalny e dënojnë me 2.5 vjet burg

2 Shkurt 2021

Opozitarin rus Alexey Navalny e dënojnë me 2,5 vjet burg, në një koloni me burg të përgjithshëm. Këtë e raporton korrespondentja e DW, Elena Barysheva nga salla e gjyqit në Moskë.

Russland Alexej Nawalny vor Gericht in Moskau
Fotografi: Press service of Moscow City Court/Reuters

Një gjykatë në Moskë e ka dënuar politikanin rus të opozitës Aleksej Navalny me 3.5 vjet burgim për shkelje të masave të dënimit me kusht. Meqenëse 44-vjeçari ka kaluar tashmë rreth një vit në arrest shtëpiak ose në paraburgim, ai tani duhet të mbahet për 2.5 vjet në burg.

Autoriteti Rus i Burgjeve (FSIN) kishte kërkuar që dënimi me kusht i shqiptuar kundër Aleksej Navalnyt në vitin 2014 të shndërrohej në burgim të rregullt. Një pjesë të dënimit me tre vjet e gjysmë kundërshtari i Kremlinit e ka vuajtur tashmë në arrest shtëpiak.

Navalny, i cili u shërua në Gjermani nga pasojat e një helmimi, u arrestua në Moskë në mes të janarit dhe u dënua me 30 ditë burgim në një procedurë të përshpejtuar. Kritikët e konsiderojnë masën ligjore kundër 44-vjeçarit të motivuar politikisht.

Navalny i hedh poshtë akuzat

Kritiku i Kremlinit, Aleksej Navalny i kishte hedhur poshtë akuzat e autoriteteve të burgut në procesin gjyqësor në Moskë, se ai kishte shkelur masat e dënimit me kusht gjatë qëndrimit të tij si pacient në Gjermani. Ai ia kishte dhënë FSIN adresën e tij në Gjermani, tha 44-vjeçari në gjykatë, në të cilën u vendos një dënim me burg kundër tij. "Çfarë tjetër duhet të kisha bërë? A duhet t'ju kisha dërguar një video të fizioterapisë time?"

FSIN e akuzon Navalny se ka shkelur "sistematikisht" masat e dënimit me kusht gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, ku ai u trajtua për pasojat e rënda të një helmimi. Gjithsej shtatë herë e kishte shkelur ai detyrimin për të raportuar tek autoritetet ruse. Kjo është arsyeja pse FSIN ka kërkuar që një dënim ekzistues me kusht të shndërrohet në një dënim me burg. Kjo kërkesë u mbështet nga zyra e prokurorit. Sidoqoftë, mbrojtja argumentoi se opozitari ishte në Gjermani dhe nuk mund të paraqitej për raport para autoriteteve ruse.

Navalni çohet në sallën e gjyqit, 02.02.2021Fotografi: Moscow City Court/dpa/picture-alliance

Në një deklaratë përfundimtare, Navalny theksoi para gjykatës: "Kryesorja në këtë proces nuk është se si do të përfundojë ai për mua. Kryesorja është të frikësohen një numër i madh njerëzish. Dhe kjo funksionon në këtë mënyrë: ti burgos një person për të frikësuar miliona. Unë shpresoj shumë që ky proces të mos kuptohet nga njerëzit si një sinjal se ata duhet të kenë frikë. Qindra mijëra dhe miliona nuk mund t'i burgosësh".

Automjete të shumta diplomatësh ishin parkuar përpara gjykatës, duke e bërë zyrën presidenciale ruse të komentojë: Përfaqësuesit e huaj nuk duhet të bëjnë presion mbi gjyqësorin, tha Kremlini. Rusia shpreson që Bashkimi Evropian nuk do t'i bëjë marrëdhëniet dypalëshe të varura nga çështja Navalny. 

Julia Navalnaja arrin në GjykatëFotografi: Natalia Kolesnikova/AFP/Getty Images

Disa qindra policë të policisë speciale OMON, të specializuar për kundërterrorizëm, ruanib gjykatën e qytetit, e cila ishte rrethuar në një zonë të madhe. Forcat e sigurisë vepruan kundër demonstruesve të cilët ishin mbledhur afër gjykatës. Sipas organizatës joqeveritare OWD-Info, më shumë se 300 njerëz u morën në arrest.

Përballë zgjedhjeve të planifikuara për në vjeshtë, ekspertja për Rusinë Sarah Pagung e Shoqërisë Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) i tha Deutsche Welles në Berlin: "Gjëja e jashtëzakonshme për Navalnyn është se vitet e fundit, ai ka arritur të bëhet i njohur për më shumë njerëz, pavarësisht nga masa të qeverisë ruse. Po të shikojmë se sa rusë e njohin Navalnyn, atëherë duhet të themi se ky numër është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, pavarësisht nga fakti se atij nuk i kushtohet thuajse fare kohë në televizion, se nuk shfaqet thuajse fare në median e madhe të shkruar. Dhe ky është pikërisht rreziku që paraqet Navalny për regjimin, pasi në fund të fundit ai e bën të qartë sërish se regjimi nuk është në gjendje të kontrollojë gjithçka plotësisht ".
 

Dhunë kundër gazetarëve në Moskë, 23.01.2021Fotografi: Kirill Kudryavtsev/AFP/Getty Images

jr (dpa afp rtr)