1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë energjitike në Japoni

Martin Fritz22 Gusht 2007

10 koncernet më të mëdha të energjisë në vend po prodhojnë këto ditë 3,4 miliardë kw energji elektrike, aq shumë sa kurrë më parë në historinë e tyre, por kërkesat janë edhe më të mëdha.

Ventilator Toyota F1Fotografi: Toyota Motorsport GmbH

Temperaturat jashtëzakonisht të larta që po vazhdojnë që prej një jave e kanë shtuar në ekstrem shpenzimin e energjisë elektrike në vend. Shumë japonezë i mbajnë për momentin ditë e natë ndezur ventilatorët dhe kondicionerët si në shtëpi edhe nëpër zyra. Temperaturat kanë mbi një javë që kanë arritur një rekord prej rreth 41 gradë celsius dhe fundi i pushimeve të verës sjell me vete edhe shtimin e punës nëpër fabrika. Të gjitha këto kanë bërë që kërkesa për energji elektrike të arrijë nivele të jashtëzakonshme. Vetëm në Tokio dhe rrethina u shpenzuan ditën e mërkurë (22.08.) 61 milionë kilovatë energji elektrike. Shoqëria elektrike e Tokios TEPCOS është në gjendje të prodhojë më së shumti 62,5 milionë kw energji. Për këtë banorëve të Tokios po u kërkohet që të kursejnë energjinë dhe TEPCOS-i futi në përdorim për herë të parë që prej 17 vjetësh një plan emergjence sipas së cilit 1000 konsumatorëve më të mëdhej të energjisë do t'u shkurtohen furnizimet me energji për të shmangur ndërprerjen e energjisë për të gjithë metropolin.

Kenji Ogawa, përgjegjës i zyrës për ekologjinë në Tokio thotë:

'Për fat të keq kërkesat për energji po e kalojnë ofertën dhe për këtë ne na duhet të bëjmë përpjekje për të pakësuar konsumin."

Ndër masat e adminstratës së qytetit bëjnë pjesë ngritja e lehtë e temperaturës për frigoriferët e tregjeve të mëdha të qytetit dhe ulja e presionit të ujit në ndërtesat publike.

Centrali atomik Kashiwazaki Kariwa pas tërmetit të 16 korrikut 2007.Fotografi: AP

Një nga shkaqet për mungesën e enegjisë së mjaftueshme është dëmtimi prej një tërmeti të rëndë gjatë muajit të kaluar i centralit atomik Kashiwazaki Kariwa. Ky central atomik i përbërë prej shtatë reaktorësh është më i madhi i botës. Riparimi i dëmeve të tërmetit dhe rifillimi i punës së këtij centrali parashikohet në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe për disa kohë. Pas thyerjes së rekordit të vitit 1933 meteorologët parashikojnë se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe të paktën për shtatë ditët e ardhshme.