1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë në Ankara - Erdogani në Berlin

Thomas Seibert/Pandeli Pani4 Shkurt 2014

Vizita e sotme e kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan në Berlin zhvillohet në kushtet e rritjes së tensioneve të brendshme politike në Turqi.

Fotografi: Getty Images

Rrallëherë zgjedhjet lokale e kanë mbajtur Turqinë kaq shumë nën tension, sa kësaj here, shkruante të hënën (03.02) në gazetën e qeverisë "Yeni Safak" kolumnisti Sulejman Seyfi Ogun. Më 30 mars në Turqi zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë - por në të njëjtën kohë në vend vendoset për shumë më tepër. Zgjedhjet janë një matje forcash politike për të sjellë qartësi në se kryeministri Erdogan është mjaft i fortë për të konkurruar në verë si kandidat për postin e presidentit.

Ky konstelacion i bën zgjedhjet vendore kaq të rëndësishme. Partia e Erdoganit AKP synon të fitojë në të gjithë vendin mesatarisht rreth 40 për qind të votave, pra po aq sa dhe në dy zgjedhjet e fundit lokale. Sipas një studimi të botuar të hënën (03.02) nga gazeta kritike ndaj Erdoganit "Zaman", AKP-ja pritet që më 30 mars të marrë një shuplakë në fytyrë nga votuesit. Përveç kësaj, Erdogani ishte si president i mundshëm nuk është aq i preferuar tek zgjedhësit si presidenti aktual Abdullah Gyl. Sondazhet e kampit qeveritar paraqesin shifra shumë më optimiste për Erdoganin.

Demonstratë kundër ErdoganitFotografi: Reuters

Skepticizëm në Berlin

Kjo frymë e ndezur që dominon fushatën elektorale lidhet me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së Erdoganit. Erdogani i hedh poshtë këto akuza dhe thotë se ato janë komplot i lëvizjes të predikuesit islamik Fethullah Gülenl.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Por sipas diplomatëve dhe vëzhguesve Erdogani ndesh në skepticizëm me keto pretendime, sikurse ndodhi para pak kohësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Politologu Sahin Alpay që punon për gazetën "Zaman" që i përket lëvizjes Gülen tha për Deutsche Wellen, se nuk beson se kancelarja do t'i pranojë teoritë e komplotit të Erdoganit. Sipas tij BE-ja është e mjaft e shqetësuar edhe për reagimet e Erdoganit pas skandalit të korrupsionit, si p.sh. transferimet me forcë të mijëra policëve.

Ligji i ri për internetin

Situata parazgjedhore në Turqi është e tensionuar edhe për shkak të procesit kundër katër policëve që dyshohet se janë fajtorë për vdekjen një 19-vjeçari në demonstruesi që kishte marrë pjesë në protestat për parkun Gezi. Kundërshtarët e qeverisë mendojnë se shteti do t'i mbrojë policët prej dënimeve teper të rënda.

Fillimi i procesit kundër katër policëve (03.02.2014)Fotografi: Adem Altan/AFP/Getty Images

Po ashtu shkak për acarimin e situatës jep edhe ligji i ri për internetin që pritet të miratohet këtë javë në parlamentin turk ku AKP ka shumicën. Ky ligj sipas opozitës legalizon cenzurën dhe arbitraritetin.

Apele për presidentin Gül

Për shkak të tensioneve politike shpresat po lidhen tani me presidentin Gül. Gazetarët dhe opozita shpresojnë se Gül-i do të vërë veton kundër ligjit për internetin dhe do t'i tregojë qeverisë kufijtë. Gül, një shok i vjetër i kryeministrit Erdogan, ka sinjalizuar javët e kaluara disa herë se nuk e mirëpret kursin e Erdoganit. Gül është përkrahës i reformave dhe proevropian dhe deri tani e ka shmangur një konfrontim të hapur me Erdoganin. Por me sa duket një gjë e tillë së shpejti nuk do të mund të shmanget. Gjendja në Turqi do të vazhdojë të jetë tejet e nderë edhe pas vizitës së Erdoganit në Berlin.