'Krizën nuk e shpiku Merkeli"
28 Mars 2013Si tek ministri grek i Punëve të Brendshme, te ministrja e Turizmit ose në turneun futbollistik midis të rinjve të ekipit Panathinaikos Athinë dhe një ekipi me fëmijë emigrantësh - Otto Rehageli paraqitet sovran në takimet në kryeqytetin grek. Ai ka ardhur me dëshirë këtu, edhe pse e di se me të lidhen shpresa. Kancelarja Merkel i është lutur që të angazhohet për përmirësimin e raportit midis Greqisë dhe Gjermanisë. Ministri i Brendshëm i Greqisë, Stilianidhis i kërkon që të bëhet një ambasador i Greqisë në Gjermani.
Rehageli duhet t'i ndriçojë gjermanët që grekët janë punëtorë, se ata do t'i plotësojnë kushtet e vëna nga troika. Ndërsa ministrja e Turizmit e falenderon paraprakisht, që Otto Rehageli do të angazhohet që ekipet gjermane të futbollit ta ngrenë në të ardhmen kampin e tyre dimëror edhe në Greqi.
Otto II. kthehet
Që kur si trajner i kombëtares greke ai fitoi në vitin 2004 Kampionatin Evropian të Futbollit, në Greqi te Rehageli kanë shumë besim. Këtë ai e di edhe vetë. Ai flet me dëshirë për faktin që mbreti i parë i Greqisë pas pavarësisë në shekullin e 19-të ishte një gjerman, i cili sundoi për 32 vjet. Ndërsa ai, i pakurorëzuari Otto II qëndroi vetëm 10 vjet në Greqi. Ajo që nuk e thotë Rehageli është që Otton e parë e dëbuan. Kurse Rehageli e zgjodhi vetë momentin e largimit.
Edhe sot, Rehageli përgjigjet dhe vepron si e konsideron ai të drejtë. Më e rëndësishmja në futboll, thotë ai, nuk është taktika, por protagonistët, pra lojtarët. Ata duhen parë si personalitete.
Në vitin 2004 ai pati sukses, sepse e pati respektuar tipin spontan dhe të egër të lojëtarëve të tij grekë. "Kontributi im ishte që u mësova atyre rregull dhe disiplinë."
Kush punon, gëzon
A mund të jetë kjo rruga e artë edhe për zgjidhjen e problemeve greke? Në fakt, Otto Rehageli nuk kishte dëshirë t'u përgjigjej pyetjeve të tilla. Kjo do të ishte pjesa e Hans-Joachim Fuchtelit, sekretarit të shtetit në Ministrinë Federale të Punës, i cili ka ardhur në Greqi për të bërë publicitet për bashkëpunimin midis komunave gjermane dhe atyre greke. Fuchteli e pati edhe idenë me angazhimin e Rehagelit. Po kjo ndarje pune nuk u intereson gazetarëve grekë. A do t'ia dalin dot grekët mbanë krizës së sotme, pyesin ata. "Mund të arrish gjithçka", përgjigjet Otto Rehageli, "po t'i bashkosh fuqitë".
Rehagelit i mungon rreptësia, e cila përmban nganjëherë "shuplaka për grekët" nga Gjermania. Grekët dinë ta vlerësojnë këtë. Nga një njeri i tillë ata pranojnë edhe përgjigje, si ajo që dha kur e pyetën për fajin e kancelares gjermane për krizën ekonomike në Greqi: "Zonja Merkel nuk e shpiku krizën".
Autor: Panajotis Kouparanis/ Auron Dodi
Redaktoi: Mimoza Kelmendi