1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza bën një pushim të shkurtër krishtlindjesh

Angelina Verbica20 Dhjetor 2011

Ministrat e Financave të BE nuk i mblodhën kreditë e deklaruara për FMN. Shefi i BQE Draghi paralajmëron për rreziqe të mëdha në eurozonë. Në janar kërcënon të vijë ora e së vërtetës.

Jean-Claude Juncker
Jean-Claude JunckerFotografi: picture alliance / dpa

Më 9 dhjetor kryetarët e shteteve dhe të qeverive patën ngarkuar ministrat e tyre të Financave që të mbledhin rreth 150 miliardë euro premtime bilaterale kredish për Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat përmes Uashingtonit do të përdoren për stabilizimin e eurozonës. Kjo duhej të ndodhte brenda dhjetë ditësh. Ky afat i vetëcaktuar tani ka skaduar. Nuk ka ndodhur shumë. Ministrat e Financave të Evropës mundën të konstatojnë në një konferencë telefonike vetëm që Britania e Madhe nuk do të bashkohet me ta dhe se banka kompetente në Gjermani, Banka Federale, ende lëkundet. Gjithsesi, Çekia, Polonia dhe Suedia dhanë premtime, megjithëse nuk janë anëtare të bashkimit monetar. Kryetari i Eurogrupit, Jean Claude Juncker, pohoi pas konferencës telefonike se 150 miliardë eurot janë premtuar sërish, pa përmendur shifra konkrete.

Banka Federale ngurron

Shefi i Bankës Qëndrore Evropiane, Mario Draghi dhe ministri gjerman i Financave Wolfgang SchäubleFotografi: dapd

Banka Federale, e cila e përfaqëson Gjermaninë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, vazhdon të ketë vështirësi me premtimet, që ka bërë Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble, në konferencën telefonike. Presidenti i Bundesbankës, Jens Weidmann, bëri të ditur se nuk ka nevojë të marrë vendime me shpejtësi. Afati, që i kishin vënë vetes kryetarët e shteteve dhe të qeverive, ndërkohë paraqitet si i parëndësishëm edhe në Bruksel, në Komisionin Evropian. Banka Federale, u shpreh Weidmanni, do t'i paguajë kredi në shumën 45 miliardë euro FMN-së vetëm, kur të bëhet e qartë se do të marrin pjesë edhe pjesëmarrës të FMN jashtë Evropës. SHBA i refuzuan kreditë e reja, në një kohë që Rusia premtoi se do të japë kredi.

Paralajmërime të ashpra nga ruajtësit e monedhës evropiane

Në një kohë që ministrat e financave ende po bënin negociata në konferencën e tyre telefonike, Banka Qendrore Evropiane publikoi paralajmërime të errëta, veçanërisht për tremujorin e parë të vitit 2012. Pas pushimeve të Krishtlindjeve vendet e futura thellë në borxhe të Eurozonës kanë nevojë për 200 miliardë euro kapital të freskët, për të eleminuar kreditë e vjetra shtetërore dhe për të rifinancuar nevojat e tyre. BQE paraqiti në Frankfurt mbi Main analizën e saj të stabilitetit për 17 shtetet anëtare të Eurozonës. Në të mund të lexosh ndër të tjera se presioni ndaj sistemeve financiare, tregjeve dhe bankave është më i madh se ai pas kolapsit të Lehmann Bank-ës në vitin 2008. E shoqëruar nga perspektiva, që Evropa mund të rrëshkasë vitin e ardhshëm në recesion ekonomik, rreziqet për stabilitetin e eurozonës janë të larta, u bë e ditur nga BQE.

Megjithatë, shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi tha gjatë një ore pyetjesh të hënën (19.12.11) në Parlamentin Evropian në Bruksel se ai nuk e konsideron të mundur që bashkimi monetar të shpërbëhet. "Euroja është e pakthyeshme", tha Draghi. Synimi që brenda BE të krijohet një pakt fiskal vërtet funksionues pa Britaninë e Madhe u regjistrua shumë pak nga tregjet, tha më tej Draghi. Presionit të vendeve me borxhe të larta, që të blihen hua shtetërore të tjera, duke i financuar kështu shtetet përmes shtypjes së kartëmonedhave, megjithatë presidenti i BQE nuk ka ndërmend t'i lëshojë pe. Ky nuk është mjet efikas kundër krizës, u tha Draghi parlamentarëve në Bruksel.

Marrëveshja do të jetë gati në mars

Bankat në Frankfurt mbi MainFotografi: picture-alliance/ ZB

Ministrat e Financave të BE ranë dakord të hënën që ta garantojnë funksionimin e Fondit të përhershëm Evropian të Shpëtimit, ESM, brenda gjashtë muajve. Gjermania është e gatshme që ta paguajë pjesën e saj të kapitalit në ESM të gjithën brenda vitit 2012, ka bërë të ditur Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble, në intervista të ndryshme. Kjo shumë do të ishte 21 miliardë euro, para të cilat ishin parashikuar deri tani që të paguheshin me këste në buxhetet federale të vitit 2013.

Në Bruksel, presidenti i Këshillit, Herman van Rompuy, po punon aktualisht në një projekt për marrëveshjen e Bashkimit Fiskal, në të cilin pritet të marrin pjesë të gjitha shtetet e BE, me përjashtim të Britanisë së Madhe. Një kopje e parë e Marrëveshjes mund të paraqitet që në fund të janarit, ose në fillim të shkurtit, në një takim të posaçëm të shefave të shteteve dhe të qeverive në Bruksel. Marrëveshja duhet të nënshkruhet në mars dhe të hyjë në fuqi që në verë.

Autor: Bernd Riegert/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica