1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Baerbock: „Kriza e klimës nuk stepet në ansjë kufi“

18 Korrik 2022

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në dialogun e Petersbergut për Klimën në Berlin bëri thirrje për një veprim të harmonizuar ndërkombëtar në luftën kundër ngrohjes së klimës.

Berlin | Petersberger Klimadialog | Präsident al-Sisi  Kanzler Scholz und Außenministerin Baerbock
Fotografi: CHRISTIAN MANG/REUTERS

Ministrja e Jashtme gjermane në hapje të Dialogut të Petersbsergut për Klimën në Berlin u bëri thirrje shteteve partnere për përpjekje të përbashëkta dhe të përforcuara kundër ngrohjes së klimës. "Kriza e klimës është ndërkohë problemi më i madh i sigurisë për të gjithë njerëzit në Tokë", tha politikania ekologjiste. „Kriza e klimës nuk stepet nga kufijtë. Ndaj edhe përgjigjet nuk duhet të ndalen në asnjë kufi", theksoi Annalena Baerbock. Qëllimi është që bashkarisht dhe në nivel ndërkombëtar „të mund të shmangim rrezikun më të madh të sigurisë të këtij shekulli".

"Intensifikim i madh i përpjekjeve"

Baerbock tërhoqi vëmendjen ndaj zhvillimit kërcënues të ngrohjes së klimës në Afrikë, por edhe ndaj zjarreve shkatërrimtare të javëve të fundit në Europën jugore si dhe ndaj katastrofës së përmbytjeve në Ahrtal në Gjermani vitin e kaluar. "Ne duhet t'i intensifikojmë fort përpjekjet e përbashkëta. Sepse vitet e kaluara është „lënë shumë pasdore".

Ministrja e quajti si nevojë një intensifikim super të madh të përpjekjeve. Njerëzimi ndodhet në një situatë, „në të cilën krizat mbarëbotërore po ndërthuren me njera-tjetrën". Ndër to bëjnë pjesë edhe pasojat e luftës sulmuese ruse ndaj furnizimeve e ushqim në mbarë botën, tha Baerbock.

Fotografi: Christian Mang/REUTERS

"Booster" për energjitë e rigjenerueshme

Edhe nëse tani Gjermania për shkak të kufizimit të furnizimeve ruse me gaz do të riaktivizojë termocentralet, Baerbock shprehu bindjen, se lufta sulmuese ruse do të nxisë për një "booster për zgjerimin e energjive të rigjenerueshme". Sepse këto burime energjetike „janë garancia më e mirë për të qenë i pavarur nga importet fosile dhe kësisoj i pavarur edhe nga regjimet autokratike në mbarë botën".

Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi ndaj një riaktivizimi mbarëbotëror të energjive fosile, në mënyrë që reagimi ndaj sulmit rus kundër Ukrainës të mos nxisë kthimin tek energjia e qymyrit.

"Ajo që tani nuk duhet të ndodhë, është një rigjallërim global i energjive fosile dhe veçanërisht i qymyrit", tha Scholz në Dialogun e Petersbergut për Klimën. "Askush nuk mund të jetë i kënaqur, që tani përsëri po kërkohet tek ne një rritje e kuotës së energjisë së qymyrit si reagim ndaj kërcënimit për kufizime në furnizimin me gaz." Por kjo është vetëm një masë emergjence e kufizuar në kohë. "Ne duhet të shkëputemi nga qymyri, nafta dhe gazi – do të thoja, e madje këtë duhet ta bëjmë me shpejtësi maksimale", shtoi Scholz. Pavarësisht luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve Gjermania nuk do të bëjë asnjë shkurtim sa i përket mbrojtjes së klimës.

Edhe presidenti i Egjiptit Abdel Fattah Al-Sisi, i cili do të organizojë në vjeshtë Konferencën Botërore për Klimën COP27, e quajti ngrohjen e klimës si një kërcënim ekstrem. Veçanërisht për Afrikën kjo është një sfidë e madhe. Kontinenti ka nevojë për ndihmë, sepse i mungojnë mundësitë financiare për ta përballuar vetëm kalimin tek „teknologjitë e gjelbra" dhe përshtatjen me ndryshimet e klimës.

Vendosje piketash për COP27

Përfaqësues nga 40 vende po konsultohen këtë të hënën (18.07) në Berlin, për të përcaktuar kuadrin e Konferencës Botërore për Klimën COP27 në fillim të nëntorit në Sharm el Sheikun turistik të Egjiptit. Kjo konferencë duhet „të jetë një katalizator për mbrojtjen mbarëbotërore të klimës dhe një udhërrëfyes qendror, për ta drejtuar botën në shtegun e kuotës 1.5 gradë të rritjes së temperaturës", thotë qeveria gjermane. Gjermania dhe Egjipti kanë organizaur konsultimet dyditore në Berlin.

Dialogu i Petersbergut u iniciua në vitin 2010 nga ish-kancelarja Angela Merkel. Në këtë kuadër çdo vit takohen shtete të caktuara për të vendosur kuadrin për një COP (Konferenca Botërore për Klimën) me efikasitet. Në periudhën 2011-2021 Dialogu i Petersbergut është organizuar nga Ministria e Mjedisit. Me kalimin e kompetencave për mjedisin në politikën e jashtme për klimën pranë Ministrisë së Jashtme këto konsultime zhvillohen tani për herë të parë sivjet në këtë dikaster.

Studiuesit e klimës skeptikë

Përpara këtij takimi studiuesi i klimës Mojib Latif në një intervistë u shpreh, se janë të zymta perspektivat për zhvillimet lidhur me klimën botërore. Qëllimi për ta kufizuar ngrohjen e Tokës me maksimumi 1.5 gradë Celsius kundrejt epokës para industrializimit, nuk mund të arrihet më. „Me emetimet e sotme të gazrave që shkaktojnë efektin serë kjo kuotë do të kapërcehet që në dhjetë vjet", vlerëson Latif. Madje me gjasë nuk do të arrijmë të ruajmë dot as normën 2 gradë. "Nëse shohim atë çfarë bën politika sot në mbarë botën, mund të jemi në kursin e 3 gradëve." Pra bota po arrin në pikën, që duhet ta pranojë se: „Koha ka kaluar", i tha studiuesi grupit mediatik Mediengruppe Bayern. Ngrohja e Tokës me 3 gradë do të ishte një „katastrofë".

Ndryshimi i klimës i kushton Gjermanisë mbi gjashtë miliardë euro në vit. Ndryshimi i klimës që prej viteve 2000 ka shkaktuar në Gjermani çdo vit dëme në vlerën mesatarisht 6.6 miliardë euro. Gjithsej bëhet fjalë për rreth 145 miliardë euro. Në këtë përfundim arrihet në një studim të publikuar tani të autorizuar nga Ministria për Ekonominë dhe Mbrojtjen e Klimës në Gjermani. 

qu/se (dpa, afp, rtr, Phoenix, AA)