1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza ekonomike dhe financiare në bodrumet e verës në Francë

Friedrich Laist/Pandeli Pani4 Qershor 2013

Mes rreth 1.200 shisheve, që ofrohen në ankand, ka edhe disa thesare.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Kriza ekonomike dhe financiare tani duket se ka mbërritur në bodrumet e verës në Francë, ose të paktën në bodrumet më të rëndësishme të verës në vend, në Pallatin Elize. Një ndër dhjetë shishe do të nxirret të enjten dhe të premten në ankand.

Në ankand do të ofrohen rreth 1.200 shishe, secila mban vulën e Pallatit Elize. Këto shishe ishin parashikuar për t'iu servirur mbretërve dhe presidentëve. Në ankand do të ofrohen sidomos shishet, që kanë mbetur prej koleksioneve të viteve të ndryshme. Shishja më e lirë ofrohet në ankand me një çmim fillestar prej 15 eurosh. Kuptohet që për lart çmimet janë natyrisht të hapura.

Mes shisheve dhe disa thesare

Ambroise de Montigny, ekspert verërash thotë se mes shisheve, që ofrohen, ka edhe disa thesare, si p.sh. shishe të verës Petrus të vitit 1990. Ato pritet të sjellin 2.300 - 2.500 euro për shishe.

Shishe të verës Petrus të vitit 1990Fotografi: picture-alliance/dpa

Urdhërin për shitjen e verërave e ka dhënë vetë presidenti. François Hollande dëshiron që masat e kursimit të përfshijnë edhe Pallatin Elize dhe që në të ardhmen të shpenzohen më pak para për verëra të shtrenjta për mysafirët  dhe të ftuarit.

Veprim i zakonshëm

"Pallati Elysee bën atë, që bëjnë edhe mjaft restorante të mirë: edhe ato i shesin herë pas here verërat e bodrumeve të tyre për të blerë të reja. Edhe këto restorante kanë çdo vit në dispozicion vetëm një buxhet të caktuar. Ne jemi në një kohë krize ekonomike, prandaj ideja e një bodrumi verërash, që vetëfinancohet, është mjaft interesante", thotë Ambroise de Montigny.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Shishja më e vjetër, që ofrohet në ankand, është një  Bordeaux e vitit 1936. Ajo ofrohet me një çmim fillestar prej 500 eurosh, që konsiderohet thuajse si një çmim i volitshëm.