1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza ekonomike në BE ul dërgesat e migrantëve shqiptarë në atdhe.

31 Mars 2009

Gjergj Filipi, ekspert ekonomik, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës tregon se cilat do të jenë pasojat nga ulja e remitancave.

Tirana, pamje rrugeFotografi: DW

Remitancat, ose siç njihen ndryshe, dërgesat e parave të emigrantëve, që jetojne dhe punojne jashtë vendit të tyre, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një frymëmarrje e mirë për ekonominë në tranzicion të Shqipërisë. Ato u japin mundësi shtresave të varfëra dhe pensionistëve, që marrin një pension prej 80 eurosh ne muaj, të mos jetojnë në mjerim. Krahasuar me vende të tjera të rajonit, qe kane emigrantë në BE apo në SHBA, Shqipëria e ka më të lartë sasinë vjetore të remitancave. Por ekspertët ekonomistë pohojnë tani se në kushtet e krizës globale dërgesat e emigrantëve kanë ardhur duke u ulur ndjeshëm

"Arsyet përtej atyre ekonomike janë kryesisht sociale dhe psikologjike. Kanë të bëjnë me traditën shqiptare të familjes. Po t´u referohem shifrave në vitin 2006 remitancat ishin në nivelin e14% të Produktit të Brendshëm Bruto, në vitin 2007 pësuan një rënie të lehtë 12,5-13%, ndërsa për vitin 2008 nuk kanë dalë ende shifra, por mendohet se në krahasim me 2007-ën ka një rënie me 13% për 9 mujorin e parë të 2008-ës." thotë Gjergj Filipi, ekonomist, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.

Ulja e nivelit të remitancave do të shoqërohet edhe me zvogëlimin e peshës së tyre në ekonomi, thekson Zoti Filipi. Pasi ato janë një burim shumë vulnerabël dhe i paparashikueshëm të ardhurash. Në momentin, kur emigrasntët stabilizohen dhe krijojnë jetën e tyre, lidhjet me familjen në atdhe shkojnë duke u dobësuar. Pasoja e parë: prekja e shtresave të varfëra të popullsisë. Por ka edhe nje pasojë, apo dimension tjetër.

"Është dimensioni, që lidhet me investimet. Për sa kohë emigrantët shqiptarë, që jetojne dhe punojne në vendet e BE, qoftë për efekt të mungesës së dokumentacionit të rregullt të qëndrimit, qoftë për efekt te diferencës mes tregjeve, e panë të pamundur të bënin investime afatgjata në tregun e pasurive të paluajtshme në vendet, ku jetojnë, atëhere ata vendosën të blinin shtëpi në Shqipëri dhe herë pas herë vinin dhe investonin. Tani kjo nuk po ndodh më." shpjegon Gjergj Filipi.

PensionistëFotografi: DW

Ulja e investimeve nga ana e emigranteve për shkak të reduktimit të të ardhurave të tyre nga kriza financiare, që po kalojnë vendet e BE, ku ata jetojne dhe punojnë, përbën një element tjetër, që godet jo vetëm ekonominë e vendit, por edhe familjet e emigrantëve në atdhe. Kjo pasi një pjesë e të ardhurave, që emigrantët merrnin nga investimet, dheniet me qira e apartamenteve shkonte edhe për llogari të familjes së tyre në atdhe dhe sidomos për prindërit pensionistë.

Çfarë do të ndodhë me shtresat e varfëra, që deri dje arrinin të jetonin nga dërgesat e fëmijëve të tyre emigrantë në atdhe, kur sot nuk i marrin më këto dërgesa?

Eksperti në fushën e ekonomisë, Gjergj Filipi, thotë se“ është urgjente përdorimi i paketave të mbështetjes sociale nga ana e qeverisë për këto shtresa.“ Në të njëjtin drejtim ecën edhe sugjerimi i Bankës Botërore, e cila që me filllimin e shenjave të mbërritjes së krizës edhe në Shqipëri e ka këshilluar qeverinë e kryeministrit Berisha të projektojë mbështetje sociale për shtresat e varfëra dhe pensionistët.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica