1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110411 SIPRI- Jahresbericht 2010

11 Prill 2011

Instituti i Stokholmit SIPRI në raportin vjetor 2010 konstaton një rritje të moderuar të shpenzive mbarëbotërore për armatimet. SIPRI: Në mbarë botën shpenzimet janë rritur rreth 1,3 % në vlerën 1,6 bilionë dollarë.

BdT Mexiko Militär Parade Felipe Calderon
Paradë ushtarake, MeksikëFotografi: AP

Nëse shumë shtete të globit nuk do të kishin vuajtur prej kirzës së ekonomisë botërore , atëherë shpenzimet për armatime do të kishin qenë më të larta se 1,6 bilionë dollarë. Sam Perlo-Freeman nga Instituti i Stokholmit SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute): "Pasojat e zgjatura të krizës ekonomike kanë bërë që të ketë një rritje të lehtë të shpenzimeve ushtarake në Evropë, sepse qeveritë në vende të veçanta janë përpjekur të reduktojnë deficitet e tyre buxhetore. Përveç kësaj rritja e shpenzimeve për armatimet në Azi është ngdadalësuar. Edhe atje janë bërë përpjekje që shpenzimet për armatimet t' i përshtaten rrethanave të frenimit të rritjes ekonomike."

Në Azinë Qendrore dhe Jugore madje për herë të parë prej vitesh janë ulur shpenzimet për mbrojtjen. Timori Lindor, Sri Lanka dhe Tajlanda kanë shpenzuar dukshëm më pak në këtë sektor. Një rritje prej 28% shënon Ondonezia duke pasur kësisoj kuotën më të lartë. Mongolia pason me një rritje prej 26%. Në shifra absolute Republika Popullore e Kinës kryeson ndër vendet aziatike me shpenzimet për armatime. Me 119 miliardë dollarë Kina shpenzon 2.1% të produktit bruto në vend për mallra armatimi. Sipas studiuesit të paqes Perlo Freeman edhe në Indi konstatohet një tendencë kthese: "India në vitin 2010 për herë të parë pas një kohë të gjatë ka shpenzuar më pak për sektorin ushtarak. Kina i ka rritur shpenzimet e veta, ndonëse më pak se në vitet e mëparshme. Për 2011 Pekini megjithatë ka komunikuar një rritje më të fuqishme. Kina, e ka shtuar ndjeshëm ritmin e armatimit dhe ndër rang botëror qëndron pas SHBA-së që kryeson. Shifrat tona tregojnë, madje, se Kina ndërkohë jep për qëllime ushtarake dy herë më shumë para se Britania e Madhe, e cila në nivel mbarëbotëror zë vendin e tretë."

Shpenzimet ushtarake sipas rajoneve http://www.sipri.org/media/press_photos

Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se në mbarë Evropën shpenzimet për armatime janë ulur me 2.8%. Ajo që të bie në sy është shkurtime në shpenzimet për armatime kanë bërë kryesisht vendet e Evropës Juglindore. Në Bullgari, Letoni apo në Estoni këto shpenzime janë ulur me më shumë se 20%. Në Greqi, Hungari, Shqipëri e në Sllovaki kursimet në këtë sektor kanë qenë mbi 10%. Gjermania, e cila në nivelin mbarëbotëror bashkë me Arabinë Saudite renditet e shtata, sipas Institutit të Stokholimit, ka shpenzuar në vitin 2010 rreth 45 miliardë dollarë për forcat e armatosura. Edhe kjo shifër flet për një ulje të lehtë të shpenzimeve me rreth 1.3%.

Përveç detyrimeve për kursime, sipas ekspertit të SIPRI, Perlo Freemann, kjo shpjegohet edhe me: "Shumica e vendeve evropiane nuk shohin më të jenë të kërcënuar ushtarakisht. Si kërcënime ndërkohë perceptohen problemi i terrorizmit, apo ndryshimi i klimës. Këto probleme nuk ka nevojë të përballohen me mjete ushtarake. Zgjedhësit në Evropë janë të interesuar më shumë për vepra sociale dhe ekonomike bamirësie dhe nuk i konsiderojnë të domosdoshme shpenzimet e larta ushtarake, në dallim nga SHBA-ja, ku në plan të parë qëndron politika e sigurisë me përqëndrim ushtarak."

SHBA-ja edhe me nobelistin e paqes Obama në zyrën, presidenciale vazhdon të jetë vendi kryesues në mbarë botën sa u përket shpenzimeve ushtarake. Vitin e kaluar Uashingtoni shpenzoi me reth 700 miliardë dollarë gati 80% më shumë për qëllime ushtarake krahasuar me vitin 2001. Krahasuar me një vit më parë për shkak të krizës ekonomike sidoqoftë rritja e këtyre shpenzimeve ishte më e ulët në 2010. Edhe në krahasim me fuqinë e madhe rivalizuese Kinën SHBA-ja vazhdon të kryesojë në këtë drejtim.

Shpenzimet ushtarake në Amerikën latineFotografi: sipri

Dukshëm janë rritur shpenzimet ushtarake në Amerikën e Jugut. Kryesisht Brazili përpiqet të konsolidohet ushtarakisht si një fuqi e madhe në ekspansion. Ekspertja e SIPRI-t për Amerikën Latine Carina Solomirano: "Brazili është për përgjegjës për më shumë se gjysmën e shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të Amerikës Latine. Kjo ka të bëjë kryesisht me arsye gjeopolitike: Është fjala për të demonstruar forcën përtej kufijve të Amerikës së Jugut. Përveç kësaj Brazili do të luajë një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare sa u përket çështjeve të paqes dhe sigurisë."

Në të gjithë Amerikën e Jugut vitin e kaluar u shpenzuan 63,3 miliardë dollarë amerikanë për qëllime ushtarake. Kjo i përgjigjet një rritjeje me afro 6%. Edhe në Afrikë, kontinenti që në vitet e shkuara ka pasur më shumë konflikte të armatosura, shpenzimet ushtarake në 2010-ën arritën shuma të reja rekord. Gjithsej në Afrikë janë shpenzuar 30 miliardë dollarë në këtë sektor. Kjo përbën një rritje me 5.2% kundrejt vitit 2009. Edhe në Lindjen e Mesme vitin e kaluar sërish janë investuar më shumë para për armatime dhe ushtarë: 111 miliardë dollarë gjithsej - një rritje me 2.5%. Në krye të investuesve të armatimeve qëndron Arabia Saudite.

Autor: Daniel Scheschkewitz / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW