1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza globale prek edhe sektorin e ndërtimeve në Shqipëri

18 Prill 2009

Sektori i ndërtimit në Shqipëri është duke ndjerë efektet negative të krizës globale. Shumë firma kanë mbetur pa punë, ndërkohë që rreth 4 mijë apartamente të ndërtuara nga viti i kaluar kanë mbetur pa shitur.

Pamje nga Tirana
Pamje nga TiranaFotografi: DW

Sektori i ndërtimit, një nga më dinamikët në ekonominë shqiptare ka nisur të preket nga efektet e krizës globale financiare. Tashmë janë evidente që proceset e ndërtimit të objekteve apo infrastrukturës ecin me ritme më të ulta, për atë që vlerësohet si mungesë likuiditetesh në qarkullim. Nga ana tjetër kanë rënë dhe porositë për punë të reja, nga një lloj frenimi të iniciativës nga kriza.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, ing. Arben Dervishi tregon për DW-në aspektet konkrete se ku ka nisur të ndjehen efektet.

"Kemi një rënie të shitjeve të apartamenteve. Po ta shprehim me shifra në të gjithë vendin janë rreth 4 mijë të tilla të pashituara. Kemi gjithashtu dhe një sërë ndërmarrjesh e firmash që qysh nga fundi i vitit të kaluar dhe në vazhdim janë pa punë. Nga rreth 250 firma ndërtimi që janë sipas statistikave tona, rezultojnë se rreth 600 prej tyre nuk kanë punë.. Kjo ka çuar në uljen e treguesve të ndërtimit. Arsyet kryesore, sipas mendimit tonë se përse ka ardhur kjo gjendje janë dy. E para ka të bëjë me shtrëngimin ose zvogëlimin e kreditimit nga ana e bankave, dhe e dyta ka lidhje me uljen e reminitancave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit".

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, ing. Arben Dervishi - 4 mijë apartamente të pashituraFotografi: DW/ Arben Muka

Sa i takon çështjes së tkurrjes së kreditimit të sektorit të ndërtimit, apo ekonomisë në tërësi, paralajmërime jo shumë optimiste për nivelin e rritjes ekonomike ka bërë së fundi dhe guvernatori i Bankës Qendrore Ardian Fullani.

"Kjo tkurrje do të japë influenca në rritjen ekonomike. Ndaj dhe duhet të jemi të kujdeshëm në realzimin e të ardhurave dhe kryerjen e shpenzimeve në kohë. Kriza nuk është e orgjinuar nga ekonomia shqiptare. Por padyshim ndjeshëm do të afektohet dhe do të ndikohet nga zhvillimet të mëtejshme të ekonomisë botërore".

Në këtë situatë të krijuar përfaqësuesit e firmave e kompanive të ndërtimit presin më shumë nga autoritetet, që të përshtasin kuadrin ligjor në varësi dhe të kushteve e vështirësive konkrete. Arben Dervishi nga Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë shpjegon disa prej tyre që do të ndikonin në amortizimin e krizës.

"Heqja e pagës referuese në sektorin e ndërtimit, pasi kjo është kthim në kohën e socializmit. Gjithashtu dhe heqja e manualeve të preventivave që kujtojnë po praktikën e para viteve 90. Edhe heqja e çmimeve të referencës në materialet e ndërtimit. Kemi përfunduar si në dogana, pasi qeveria ka vendosur çmime të tilla dhe në sektorin tonë. Ja kemi ngritur vazhdimisht autoriteteve shqetësimin për aplikimin e një tvsh-je (tatim mbi vlerën e shtuar) në disa nivele.Nuk duhet të jetë një kuotë stabël 20 përqind. Për disa gjëra mund të ulet dhe për të tjera mund të ngrihet, siç janë mallrat e luksit. Shumë vende të botës e kanë aplikuar këtë".

Sipas përfaqësuesve të sektorit të ndërtimit është pozitive që qeveria ka miratuar së fundi rritjen e nivelit të depozitave të siguruara në banka, duke krijuar një klimë më besuese tek klientët. Pasi dhe shfaqja e krizës aktuale është dhe me tipare të theksuara psikologjike. Nga na tjetër ata presin një balancim më të drejtë të fondeve publike për ndërtimin. Duke i shpërndarë ato në më shumë duar, për të garantuar dinamikë më të qëndrueshme të sektorit, dhe angazhim të sa më shumë subjekteve të licensuara në këto projekte me fonde publike.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti