1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza në mediat greke

26 Prill 2012

Në Greqi kriza prek edhe mediat. Gazetat me traditë mbyllen dhe stacionet televizive shkurtojnë pagat për punonjësit. Kjo vjen nga rënia e të ardhurave nga reklamat, keqadministrimi dhe varësia nga shteti.

Fotografi: DW

Pas pesëmbëdhjetë vjetësh punë si gazetare Valia Kaimaki ndodhet para një hiçi. Gazeta "Eleftherotypia", ku ajo ka punuar prej kohësh. rrezikon të mbyllet. Punonjësit bëjnë grevë, sepse redaktorët që nga gushti 2011 nuk kanë marrë më rroga. Që nga fundi i dhjetorit gazeta nuk ka dalë më. Personeli ka shtypur vetëm një fletushkë për grevën. Në fakt investitorët e ndryshëm sinjalizojnë interesë për të blerë gazetën, por shtypshkronja ka bërë kërkesë për insolvencë, sepse nuk është në gjendje të paguajë.

"Eleftherotypia" konsiderohej që prej themelimit të saj në vitin 1975 si një gazetë shëmbullore liberale. Me dhjetëramijëra lexues dhe me reklama, që sillnin shumë fitime. Por menaxhimi i gazetës ka dështuar dhe për shkak të keqmenaxhimit për vite me rradhë dhe të politikës së klientelizmit, ankohet Valia Kaimaki.

"Menjëherë pasi isha punësuar m'u tha me mirëbesim, se kjo gazetë funksionon si një ndërmarrje shtetërore", kujton gazetarja. "Dhe e thënë me fjalë të tjera: të afërmit dhe miqtë kanë zënë këtu punë, pa iu marrë parasysh kualifikimi." Kështu është krijuar një klikë, e cila fitonte jashtë mase mirë. Rrogat deri në 30.000 euro në muaj nuk ishin një rast i vetëm.

Nipotizëm i shfrenuar

Valia Kaimaki, gazetare grekeFotografi: DW

Valia Kaimaki, e cila ka studuar në Francë, erdhi në vitin 1998 te "Eleftherotypia" dhe bëri emër si redaktore për temat e jashtme dhe shefe e shërbimit të botimit të "Le Monde Diplomatique" në gjuhën greke. Ajo përjetoi epokën e artë të Greqisë. Bosët e medieve, por edhe botues të vegjël, merrnin para në bursë, apo me kredi të lira bankare dhe ngrinin stacionet e tyre. Në këtë mënyrë u punësuan mijëra gazetarë, por shumë prej tyre si fuqi pune të lira dhe të zëvendësueshme.

"Ishte një flluskë, që dikur do të pëlciste", pohon Kaimaki sot. Mediet nuk ushtronin më kontrollin demokratik, por ishin futur nën një mbulesë me politikën dhe ekonominë dhe gazetarët nuk kanë protestuar. "Në thelb shumica ishin të lumtur, që kishin një punë", thotë redaktorja e dikurshme.

Varësia nga shteti

Ndikimi i shtetit dhe i sipërmarrjeve të fuqishme është keqja më e madhe e gazetarisë greke, thotë ekonomisti dhe redaktori ekonomik Athanassios Papandropoulos, kryetari i grupit grek të bashkimit të gazetarëve evropianë (AEJ). Të gjithë botuesit dhe gazetarët e vendit e kishin lënë pas dore kritikën sociale dhe funksionin kontrollues, ose e mohonin, për të mos humbur sipërmarrjet shtetërore si kliente reklamash.

"Mediet janë në pjesën më të madhe të varura nga shteti, sepse ai kontrollin tradicionalisht më shumë se 50 përqind të tregut të reklamave", thotë Papandropoulos. Sidomos shtypi rajonal varet nga reklamat shtetërore, megjithëse gjykata greke e auditorëve e ka kritikuar disa herë këtë. Përveç kësaj shumë gazetarë kanë punuar krahas kësaj në sipërmarrje shtetërore, apo baka, si në sektorin e shtypit, apo si këshilltarë. "Prandaj nuk më habit fakti, që ata informojnë në mënyrë sipërfaqësore dhe të distancuar për korrupsionin dhe shpërdorimin e parave nga shteti", ankohet redaktori. "Në detaje nuk do që të hyjë askush."

Kriza si shans

Athanassios Papandropoulos ekonomist grek dhe gazetarFotografi: DW

Në të kaluarën baba shteti ka subvencionuar me bujari edhe fondet e pensioneve të gazetarëve. Por sigurimi i pleqerisë rrezikohet nga humbje miliardëshe, jo vetëm si pasojë e krizës, por edhe sepse sindikatat dhe fondet e pensioneve të shtypit kanë spekulluar me obligacionet e qeverisë. Në qoftë se sistemi deficitar i pensioneve nuk reformohet sa duhet, gazetarët e sotëm duhet të presin një pension prej 180 eurosh në muaj, kur të plaken. Këtë e ka llogaritur Papandropoulos.

Nga kriza vuan cilësia gazetareske. "Ne sot duhet të kënaqemi me një ushtri punonjësish të pakualifikuar dhe të paguar keq, që kanë humbur punën nga kriza dhe luftojnë vetëm për të mbijetuar", thotë ekonomisti. Shumë nga këto njerëz do ta kuptonin gazetarinë vetëm si argëtim dhe nuk e marrin seriozisht lirinë e shtypit. Në të njëjtën kohë Papandropoulos është edhe optimist: ai shrpeson, se sipërmarrjet serioze të medias do të dalin të forcuara nga kriza dhe do ta bëjnë hapin e nevojshëm cilësor. "Prandaj gjendja e sotme do të sillte me vete edhe një farë pastrimi të tregut, por për fat të keq pas dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vjetësh."

Autor: Janis Papadimitriou/Angjelina Verbica