Kriza në Siri çon Ananin në Moskë dhe Banin në Pekin
17 Korrik 2012Me një nismë të dyfishtë përpjekjet diplomatike për një zgjidhje të konfliktit në Siri po intensifikohen shumë. I dërguari i posaçëm i OKB-së, Kofi Annan, do të zhvillojë bisedime në Moskë lidhur me gatishmërinë e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin për një ndryshim të pozicionit të vendit që ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Paralelisht për këtë qëllim udhëtoi për në Pekin edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun që pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqjen kineze.
Kina dhe Rusia kanë penguar dy herë me veton e tyre miratimin e një rezolute që ka të bëjë me marrjen e veprimeve të ashpra nga ana e Këshillit të Sigurimit ndaj Sirisë. Më parë ministri i Jashtëm rus Sergeji Lavrov kishte akuzuar perëndimin për situatën e krijuar në Siri. "Disa vende perëndimore provokuan luftën civile në Siri dhe insistuan për vendosjen e sanksioneve nga Këshilli i Sigurimit, tha ai para gazetarëve në Moskë. Popullit sirian kjo po i kushton shumë, tha më tej ai. Pas shpërthimit të luftimeve të ashpra në kryeqytetin Damask, kryengritësit bënë thirrje për një ofensivë në mbarë vendin, bën të ditur agjencia e lajmeve afp.
"Ushtria e lirë siriane" kërkoi nga luftëtarët e saj si reagim ndaj masakrave të regjimit që të shkatërrojnë pikat e kontrollit të ushtrisë, policisë dhe milicisë. Ditën e hënë kryengritësit njoftuan se ka pasur luftime të ashpra në disa zona të kryeqytetit. Edhe organizata ndërkombëtare Kryqi i Kuq është shprehur zyrtarisht për një "luftë civile" në Siri. Luftimet e fundit ishin nga më të ashprat qysh prej fillimit të protestave për largimin e qeverisë dhe presidentit aktual Bashar al-Asad para 17 muajsh.