Kriza parlamentare pezullon funksionimin e demokracisë në Maqedoni
5 Janar 2013 "Deputetët që bojkotojnë parlamentin marrin për kohën e mungesës një të tretën e pagës së tyre", thuhet në një vendim të publikuar ditën e enjte (03.01.) nga shumica konservatore e parlamentit. Nga ky vendim preken 29 prej 123 parlamentarëve të Maqedonisë. Deputetët e partisë më të rëndësishme opozitare, Partisë Socialdemokrate (SDSM) pas debateve për buxhetin e vitit 2013 dhe shtyrjes së vendimit në dhjetor pezulluan punën parlamentare. Gjatë mbledhjes në sallën plenare brenda parlamentit dhe jashtë tij pati rrahje, si pasojë e të cilave u lënduan 17 vetë, mes tyre 11 policë dhe dy deputetë. Dietat e deputetëve janë në Maqëdoni rreth 1 mijë euro. Kjo shumë i përgigjet trefishit të mesatares së të ardhurave në vendin me 2 milionë banorë, kur 30 përqind e popullsisë janë të papunë.
Instituti Progres për Demokracinë Sociale mbi situatën në Maqedoni
Demokracia në Republikën e Maqedonisë është pezulluar më 24.12.2012. Gjatë këtyre ditëve policia ushtroi forcën duke nxjerrë jashtë parlamentit gazetarët dhe deputetët e opozitarës. Ndërprerja e aktivitetit parlamentar ishte pika kulmore e shkallëzimit të tensioneve në politikën e brendëshme gjatë vitit 2012. Pas fitores së zgjedhjeve në qershorin 2011, në një fushatë të trazuar prej presioneve ndaj zgjedhësve dhe me paqatësi në shpenzimet e 220 milionë eurove të kredive të FMN-së, qeveria populiste nacionaliste e Nikola Gruevskit mori përmasa gjithnjë e më autoritare, shkruhet në studimin e "Institutit Progres për Demokracinë Sociale" në Maqedoni. Në analizën e këtij instituti vihet në dukje, se në Maqedoni është përkeqësuar situata social-ekonomike. Papunësia mbi 30% rrit kuotën e varfërisë dhe marrëdhëniet e brendshme ndëretnike janë delikate të shoqëruara edhe me incidente sporadike. Kultura e presioneve nxit revoltën sociale. Opozita nën drejtimin e SDSM-së është duke u konsoliduar në një bllok partishë. Në mes të 2012 opozita nisi të shpallë kandidatët e saj për zgjedhjet lokale në mars 2013. Opozita tani e ka intensifikuar komunikimin e saj direkt me qytetarët, për të prezantuar programin e saj dhe për të fituar kapital politik. Shkallëzimi i situatës në politikën e brendshme e ka nxitur opozitën që të kërcënojë tani me mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale: Nëse qeveria i organizon zgjedhjet si ato të mëparshmet, me marrjen e votave nën presion dhe duke i blerë ato, opozita do t'i bojkotojë zgjedhjet. Ndërkohë që qeveria përpiqet të vazhdojë punën si zakonisht, kriza politike dhe institucionale në Maqedoni po thellohet.
Roli i bashkësisë ndërkombëtare
Më tej në këtë analizë vërehet, se bashkësia ndërkombëtare duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur degradimit të demokracisë në Maqedoni në 2012 e ka çuar përpara procesin e integrimit euro-atlantik të vendit. Në reagimet e para të matura po duket tani një ndryshim i ngadalshëm dhe një vullnet minimal për të ndërmjetësuar mes qeverisë dhe opozitës. Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe me angazhimin pozitiv të partive të mëdha shqiptare, është e mundur që të organizohen zgjedhje korrekte dhe t'i jepet fund krizës. Viti 2013 do të jetë një vit vendimtar për demokracinë në Maqedoni. Demokracia dhe respektimi i kushtetutës dhe i shtetit ligjor duhet të kosnolidohen, në rast të kundërt vendi mund të jetë më shumë si Bjellorusia se sa si një vend kandidat për në BE, nënvizohet në analizën e ekspertit Dushan Reliq nga fonacioni gjerman "Shkenca dhe Politika" në Berlin, për Institutin Progres për demokracinë Sociale në Shkup.