Kroacia me lajme të mira
27 Nëntor 2007Zgjedhjet e mëparshme në Kroaci janë zhvilluar shpesh nën mbikqyrjen e veçantë ndërkombëtare. Vendi deri tani e parë nga perspektiva e BE-së është prezantuar shpesh në një gjendje që linte shkas për kritikë, përshembull në lidhje me të drejtat e njeriut. Sot Kroacia duket si një vend fare normal. Ky vlerësim përfocohet nga zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kroaci përbëjnë një lajm të mirë, edhe pse nuk është e qartë ende, se kush do ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë. Së pari zgjedhjet mund të konsiderohen si "business as usual". Fqinjët evropianë e dinë, se me qeverinë e re do të bashkëpunojnë po aq mirë, sa edhe me të vjetrën. Kjo do të thotë, se Kroacia është kthyer në kandidat joproblematik për në BE. Disa vende të tjera të rajonit prezantohen krejt ndryshe, si psh Kosova, apo Bosnje-Hercegovina. Edhe Maqedonia dhe Shqipëria duhet të luftojnë me më shumë probleme se Kroacia.
Lajmi i dytë i mirë është: Pozicionet ekstreme dhe partitë e klientelës nuk janë më aktuale. Partia e djathtë nacionaliste kroate mezi e kapërceu klauzolën e pesë përqindishit. Në saborin, parlamentin e ri do të përfaqësohet ndoshta vetëm me një mandat. E njëjta gjë mund të thuhet për partinë e pensionistëve. Kështu që pejsazhi partiak në Kroaci është konsoliduar dhe kjo sjell avantazhet e veta si për krijimin e qeverisë ashtu edhe për punën e koalicionit të ardhshëm qeveritar.
Tema e pranimit në BE nuk ka luajtur ndonjë rol në këtë fushatë zgjedhore, sepse qeveria dhe opozita kanë bashkëpunuar në këtë drejtim edhe në periudhën e kaluar legjislative. Synimi për t´u pranuar në BE mund të kishte qenë një temë, sepse prej kohësh kritikohen zhvillimet aktuale. Psh në drejtësi, ndaj korrupsionit që vazhdon të jetë shumë i përhapur si dhe qëndrimin ndaj pakicave. Secila parti ka patur këtu shansin për të prezantuar pozicione dhe programe të qarta dhe të tregojë, se ka shanset më të mira për bisedimet e metejshme me BE-në. Përderisa këto pikë nuk janë të rëndësishme vetëm për ata në Bruksel, por pasqyrohen ndjeshëm në jetën e cdo votuesi.
Qeveria e re ka detyra të vështira për të përballuar, nqs do të arrijë synimin që i ka vënë vetes për anëtarësim të shpejtë në BE. Akoma nuk janë hapur kapitujt më të vështirë si psh ai i bujqësisë. Kjo do të jetë e vështirë edhe nga qytetarët do të kërkohet një gjë apo një tjetër. Dhe vitin e fundit është bërë e qartë, se pikërisht për temat si reforma në drejtësi apo luftimi i korrupsionit niveli për matjen e suksesit është ngritur më lart. Këtu Brukseli ka nxjerrë konkluzionet e veta nga përvojat e zgjerimit të viteve të fundit.
Edhe një gjë duhet përmendur, zgjedhësit në diasporë, në rradhë të parë nga shteti sovran i Bosnjë- Hercegovinës, dominuan fushatën zgjedhore. Elektorati i atjeshëm që tradicionalisht ka votuar për HDZ konservatore do të jetë edhe kesaj rradhe vendimtari. Socialdemokratët duan ta korrigjojnë këtë ligj teper të zgjeruar votimi dhe prandaj nuk kanë bërë fushatë në vendin fqinj. Një ligj i arsyeshëm zgjedhor për diasporen duhet të përpilohet patejtër në vitet e ardhshme.