1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri spanjoll merr në mbrojtje veprimet e policisë

2 Tetor 2017

Pas dhunës policore në Katalonjë kryeministri spanjoll Mariano Rajoy fajësoi qeverinë rajonale për trazirat. Sipas tij forcat e sigurisë kishin zbatuar vendimet e gjyqësorit.

Spanien Katalonien Unabhängigkeits-
Referendum Poilzei schreitet ein
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Fernandez

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i quajti si sukses veprimet e dhunshme të policisë kundër referendumit për pavarësinë në Katalonjë. "Sot nuk ka pasur referendum për vetëvendosje në Katalonjë", tha  në një fjalim në TV Rajoy pas përfundimit të votimit. Ai i bëri thirrje qeverisë rajonale të Katalonjës të mos ndjekë një rrugë që nuk të çon askund.

Mariano Rajoy Fotografi: Getty Images/AFP/J. Soriano

Me urdhër të qeverisë qendrore spanjolle, policë të armatosur rrethuan në Katalonjë qendrat e votimit dhe u përpoqën pjesërisht me dhunë që t'i ndalonin votuesit që të votonin në referendumin e pavarësisë. Para një qendre votimi në Barcelonë, policët përdorën madje shkopinj gome kundër demonstruesve.

Fotografi: Getty Images/D. Ramos

Gjatë përleshjeve pati shumë të plagosur. Qeveria rajonale e Katalonjës tha se ka pasur 761 të plagosur. Sipas shërbimit shëndetësor katalanas, dy prej tyre janë në gjendje kritike. Për shkak të dhunës së policisë, kryebashkiakia e majtë e Barcelonës, Ada Colau, bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy.

Fotografi: Getty Images/AFP/L. Gene

Ministria e Brendshme në Madrid tha se gjatë përleshjeve ishin plagosur lehtë njëmbëdhjetë policë spanjollë që ishin goditur me gurë nga demonstruesit. Sipas ministrisë janë arrestuar shumë vetë.

Fotografi: Reuters/V. West

Më shumë se 5.3 milion vetë qenë ftuar të merrnin pjesë në referendumin për pavarësinë e Katalonjës. Në rast se në referendum shumica do të votojë me "po", Barcelona dëshiron të kërkojë shkëputjen prej Spanjës, edhe pse referendumi nuk ka fuqi detyruese dhe është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle. Gjyqtarët i referohen pandashmërisë së shtetit spanjoll të sanksionuar me ligj.