1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesë energjetike po, por...

Henrik Böhme/Auron Dodi13 Gusht 2013

Mbrojtja e ambjentit mbetet e rëndësishme për gjermanët, por që energjia të kushtojë më pak, nuk do të ishte keq, ky është përfundimi i një studimi të ri për kthesën energjetike. A po ndryshojnë gjermanët qëndrim?

Prodhim i energjisë diellore në GjermaniFotografi: ONE Marokko

Ujin për dushin e nxehin mbledhësit e energjisë diellore mbi çati. Drithërat biologjike shoqërohen me kos biologjik, natyrisht në kavanoza xhami. Kurse në punë shkojmë me automobil elektrik. Ky mund të ishte një mëngjes ideal, kështu e mendojnë atë shumë gjermanë, të paktën në teori. Një vit pas Fukushimas, rreth 60 përqind e njerëzve ishin të gatshëm që të paguanin më shumë për energjinë elektrike, me kusht që ajo të qe prodhuar nga burime që e mbrojnë natyrën.

"Në Gjermani është pjesë e normave sociale sjellja korrekte ekologjike. Dhe në anketime jepet me dëshirë përgjigja e dëshirueshme sociale. Dhe këtu ka një hendek të madh midis asaj që paraqitet e dëshirueshme dhe sjelljes faktike", thotë Holger Krawinkel i nga Shoqata Federale qendrore e Konsumatorëve. Sot, dy vjet pas katastrofës në Japoni dhe "kthesës energjitike" në Gjermani, mbështetja në popull ka rënë. Pas një studimi të ri të institutit Forsa për qendrën e konsumatorëve, një në dy vetë ka qendrim kritik ndaj kthesës energjitike. Vërtet që dy të tretat besojnë se kthesa energjitike ka përparësi për ambjentin, por vetëm 40 përqind janë dakord me mënyrën se si zbatohet kjo kthesë energjetike.

Por edhe energjitë e ripërtëritshme kanë mangësi

"Rezulton një pamje e përzier: konsumatorët vazhdojnë ta mbështesin kthesën energjetike, por ata shohin gjithnjë e më shumë probleme, nga njëra anë ata shohin se kthesa energjetike po kalon jo pa probleme, dhe së dyti ata i druhen rritjes së çmimeve të energjisë." Frika për rritjen e çmimeve të energjisë është më shumë se e justifikuar - deklaron fizikani Horst-Joachim Lüdecke, njëri nga kritikët më të fortë të kthesës energjitike: "Energjitë e ripërtëritshme kanë këto mangësi: ato kanë denduri të ulët rendimenti. Ti mund ta mbash dorën tënde kundër një furtune. Asgjë nuk të ndodh. Po dorën nuk mund ta futësh në një sobë me qymyr. Kur përdor metoda për të prodhuar energji me denduri të ulët rendimenti, atëherë e gjithë puna bëhet më e shtrenjtë. Të duhet të ndërtosh pajisje shumë të mëdha."

Prodhimi i energjisë nga era.Fotografi: Nélio dos Santos

Kësaj i shtohet rritja e së ashtuquajturës pjesë të EEG-së, në fillim të vitit. Kemi të bëjmë këtu me atë pjesë të energjisë, të cilën konsumatori duhet ta paguajë për energjitë e ripërtëritshme. Po nga kjo janë të çliruara pikërisht sipërmarrje që konsumojnë shumë energji. Për të gjitha të tjerat, puna bëhet edhe më e shtrenjtë. Në vitin 2013, persona privatë, sipërmarrje të vogla dhe sipërmarrje të mesme i mbështetën konsumatorët më të mëdhenj të energjisë me më shumë se shtatë miliardë euro. Me këtë lëshim që u bën sipërmarrjeve të mëdha, qeveria gjermane synon të forcojë Gjermaninë si zonë ekonomike - por nuk mban këtu parasysh qytetarët.

"Ekziston një qëndrim shumë kritik dhe skeptik kundër përjashtimeve në rregulla, të cilat vlejnë për industrinë. Besoj se këtu ekziston një nevojë e madhe për informacione, sepse konsumatorët thonë, mirë, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të mos paguajnë, por të mëdhatë duhet të paguajnë!" Atëherë kthesa energjitike mund të bëhet më e pranueshme. Dhe ai që nuk ka ende në garazh një automjet elektrik - do ta përgatisë ndoshta së shpejti kafenë e mëngjesit me energji ekologjike.