1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiFrancë

Francë: Energji e gjelbër në vend të karburanteve fosile

11 Gusht 2023

Franca është duke kërkuar të zgjidhë problemet energjetike me anë të projekteve të vogla, që përballohen vetë dhe prodhojnë energji të gjelbër.

Qyteti francez Le Séquestre, parku me panele diellore
Qyteti francez Le Séquestre, parku me panele dielloreFotografi: Peter Yeung/DW

Mbështetësit e kësaj ideje thonë, se ky ndryshim do të demokratizojë prodhimin e energjisë elektrike dhe do të ulë varësinë nga energjia e prodhuar me karburante fosilesh dhe nga energjia e blerë jashtë vendit. Me qetësinë që ka, sheshin kryesor rrethuar nga pemët, shkollën, palestrën, restorantin me çmime të ulëta dhe bashkinë, Le Sequestre, duket të jetë si shumë qytete të tjera franceze. Por, komuna e 2000 banorëve të qytetit që ndodhet afër Tuluzës, në jugperëndim të Francës, është prijëse e një revolucioni që kërkon të zgjidhë problemet e energjisë në vend. 

Vitin e kaluar, autoritetet lokale inaguruan një park energjie diellore me prodhim maksimal në kushte standarde prej 250 kilovatësh kulmor. Parku ndodhet në një zonë të abandonuar në periferi të qytetit dhe prodhon e shpërndan energji të mjaftueshme për të 250 banorët që jetojnë në një rreze prej 2 kilometrash.   

Qyteti francez Le SéquestreFotografi: Peter Yeung/DW

"Parku diellor është duke na ndihmuar në shumë drejtime”, thotë për Deutsche Wellen, Gerard Poujade, kryetar bashkie i Le Sequestre. "Është duke u dhënë dritave tona energji të gjelbër, por është edhe duke na dhënë fuqi të jemi më rezistentë dhe më të pavarur.” 

Projektet e energjisë së gjelbër sfidë për lojtarët e mëdhenj 

Parku diellor hiperlokal i Le Sequestres, është projekti i parë i këtij lloji në Francë. Dhe është projekt, të cilin Komisioni Europian e promovon si "collective self-consumption" (kolektiv vetëkonsumues) — projekt që lidh konsumatorët dhe prodhuesit e së njëjtës zonë, në përpjekje për ta bërë të qëndrueshëm sistemin energjetik të Europës, dhe për të krijuar mundësitë që komunitetet lokale të jenë ato që të përfitojnë prej tyre.  

Projekti prej 240,000 eurosh është financuar nga Enercoop, një kooperativë franceze që ka filluar punën në vitin 2005, dhe shpërndan energji 100 përqind të rinovueshme në gjithë vendin nëpërmjet një rrjeti prodhuesish të vegjël. Kompania, që shënoi një xhiro prej 134 milionë dollarësh në vitin 2021, ka 61 mijë anëtarë kooperative dhe 100 mijë konsumatorë. 

Enercoop e sheh veten si mundësi alternative përballë konglomerateve që shohin vetëm fitimin, të cilat dominojnë tregun dhe shpesh për të prodhuar energji elektrike djegin karburante fosilesh dhe lëndë bërthamore. Në një intervistë me Deutsche Wellen, Loic Blanc, koordinator i rajonit të Pireneve të Mesme, thotë se Enercoop kërkon "të ndryshojë që nga themelet marrëdhënien që kemi ne me energjinë.” "Nuk është çështje parash. Është çështje që ka të bëjë me të ardhmen e planetit tonë,” thotë ai. 

Energjia e prodhuar vetë mund të jetë çelësi për bilanc zero të dioksidit të karbonit  

Autoritetet botërore të energjisë mendojnë po ashtu se vitet e ardhëshme do të kërkohen ndryshime të mëdha në sektorin energjetik. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se për ta futur botën në rrugën e arritjes së synimit të bilancit zero të dioksidit të karbonit, duhet që investimet në energjinë e renovueshme të trefishohen deri në vitin 2030, duke arritur në 4 trilionë dollarë (3,63 trilionë euro). Ky organizëm ndërqeveritar ka thënë se krijimi i zinxhirëve rezistentë të furnizimit me energji mund të ndihmojë në zbutjen e "rreziqeve në çështjet e sigurisë” energjetike, duke pasur parasysh sulmin rus ndaj Ukrainës. 

Gérard Poujade, kryetar bashkie i Le SéquestreFotografi: Peter Yeung/DW

Në vitin 2021, 26 përqind e rrymës elektrike konsumuar në Francë ishte energji e rinovueshme, kurse në Gjermani kjo shifër ka qenë 45 përqind. Franca synon që deri në vitin 2040 të rrisë sasinë e energjisë së rinovueshme në 40 përqind të energjisë së konsumuar. Nisma të pavarura, lokole që drejtohen nga qytetarët siç është nisma e Enercoop, do të jenë çelësi për të arritur këtë synim, thonë përkrahësit e kësaj ideje.

Një studim i kryer nga firma holandeze e konsultimit, CE Delft parashikon që deri në vitin 2050, gjysma e ekonomive shtëpiake të BE, që janë rreth 113 milionë ekonomi shtëpiake, do të arrijë të prodhojë energji ose në mënyrë individuale ose në mënyrë kolektive.

"Ky tranzicion në decentralizimin e energjisë së pastër do të ndihmojë po ashtu në kapërcimin e pengesave që krijohen për rrjetet e mëdha qendrore të energjisë në momente kur kërkesat arrijnë pikun,” thotë Dirk Vansintjan, president i REScoop, një federate 2200 kooperativave qytetare të energjisë, shpërndarë në gjithë Europën.

Suksesi varet nga mbështetja lokale 

Ekspertët thonë, se suksesi i tranzicionit drejt energjisë së gjelbër, varet nga blerjet që bëhen nga komunitetet. "Ekziston një sasi e madhe investimesh në energjitë e rinovueshme, por shpesh ato nuk shfrytëzohen,” thotë për Deutsche Wellen, Rikard Warlenius, një lektor i Universitetit të Gotenburgut, i cili ka studiuar nismat bazë të energjisë. "Që të kenë sukses, ato duhet të përfshijnë edhe banorët lokalë, të cilët duhet të kenë përfitime." 

Enercoop, që për t'i dhënë stabilitet prodhuesve ofron kontrata me kohëzgjatje deri 30 vjet, punon me kompani rajonale si përshembull Courant Naturel, që bën instalimin e panelave diellorë, duke synuar kështu nxitjen e ekonomive lokale. Në të njëjtën kohë, rreth 5 përqind e energjisë elektrike të kompanisë, që në vitin 2021 ishte 642 giga wat orësh, shitet aktualisht me koston e prodhimit, dhe jo me çmimin e tregut, i cili është më i shtrenjtë. Dhe synimi është që deri në vitin 2030, kjo shifër të arrijë në 40 përqind. 

"Ky është një model demokratik,” thotë Martine Le Lostec, kryetare bashkie e fshatit Saint-Quirc dhe anëtare kooperative. "Është puna si të arrihet mirëqënia," i tha ai Deutsche Welles. 

Martine Le Lostec, kryetare bashkie e Saint-QuircFotografi: Peter Yeung/DW

Le Sequestre paguan 0.08 euro për kilovat orë, krahasuar me 0,11 euro për kilovat orë që paguante për shpërndarësin shtetëror të energjisë EDF, që do të thotë se në vitin 2022 shpenzimet për energjinë u ulën me gati 10 përqind. Dhe planet janë që vitin e ardhshëm numri i panelave diellorë të dyfishohen.

"Është shumë e lehtë dhe në gjithë vendin ka zona ku mund të bëhet një gjë e tillë,” thotë Poujade. "Sikur të gjithë të bënin kështu, ne do të ishim më pak të varur nga gazi rus dhe gazi nga Katari dhe nga nafta e Arabisë Saudite. Problemi i vetëm është përgatitja e dokumentave.”

BE jep mesazhe të përziera me pengesa burokratike 

Në vitin 2018 dhe 2019, Bashkimi Europian dha direktiva për promovimin e të ashtuquajturave "komunitete qytetare dhe energjie të rinovueshme,” por kritikët thonë, se shpenzimet e mëdha dhe pengesat burokratike nuk lejojnë krijimin e këtyre iniciativave. "Rruga nuk është e lehtë për prodhuesit e vegjël,” thotë Goncalo Pinto Mendes, një analist në Universitetin e Teknologjisë të Finlandës, Universitetin Lappeenranta dhe investigues i projektit të Komisionit Europian për të vepruar në kalimin tek energjia e gjelbërt, projektin GRETA (Green Energy Transition Actions. 

Parku solar i Le SéquestreFotografi: Peter Yeung/DW

Enercoop, pavarësisht nga suksesi, nuk ka qenë pa vështirësi. Në vitin 2021, megjithëse prodhuesit prodhuan energji të mjaftueshme elektrike për të mbuluar 108 përqind të nevojave të konsumatorëve, në kohë piku u arrit të plotësohej vetëm 80 përqind e kërkesës. 

Ballafaquar me çmimet e larta të tregut, Enercoop u detyrua të përdorë një protokoll qeverie, i njohur si ARENH, me të cilin konkurentët lejohen të blejnë energji bërthamore, që është problematike për disa njerëz, dhe bleu energji nga EDF me çmim të kushtueshëm. Duke reaguar, në vjeshtë të 2021 Enercoop ndaloi përkohësisht pranimin e klientëve të rinj kur filloi të kishte vështirësi me furnizimin e energjisë elektrike. Por tani kooperativa është kthyer plotësisht në biznes dhe në muajin shkurt, bëri të ditur se do të investojë 14,5 milionë dollarë të tjerë për të ndërtuar më shumë panela diellorë dhe ferma që prodhojnë energji nga era, me synimin që ta kthejë energjinë tek njerëzit.  "Ne jemi duke krijuar qendrueshmërinë,” shton Blanc. "Dhe jemi duke ndërtuar furnizimin e vetvetes.”