Obama Guantanamo
9 Mars 2011
Menjëherë pas ardhjes së tij në post në fillim të 2009-ës presidenti Barack Obama i pati pezulluar proceset e diskutueshme ushtarake kundër të dyshuarve për terrorizëm. Bashkë me paralajmërimin, se donte ta mbyllte kampin e të burgosurve Guantanamo brenda një viti, ky ishte sinjali i shpresuar në luftimin e terrorizmit: presidenti i ri donte të ndahej nga politika shpërfillëse për të drejtat e njeriut e paraardhësit të tij George W. Bush dhe ta rikthente Amerikën në udhën e virtytit.
Por dy vjet më vonë opinioni botëror dallon se është mashtruar. Obama as nuk e ka mbyllur deri tani kampin e diskutueshëm, as nuk i ka hequr gjyqet ushtarake. Madje as një bazë ligjore e qëndrueshme për to, e cila do t'i kishte hije shtetit të së drejtës SHBA, nuk është arritur të krijohet deri tani. Dhe ende 170 të burgosur presin në bazën kubane për lirimin e tyre ose për procesin që u takon. Por meqenëse deri tani asnjë shtet i së drejtës në këtë botë nuk është shprehur i gatshëm për t'i pranuar të burgosurit, Obamës i mbetet procedura e vjetër, e diskutueshme, sipas të cilës tani do të zhvillohen madje procese të reja. Thjesht lirimi i organizatorëve të supozuar të atentateve terroriste të 11 shtatorit nuk është opsion.
Obama e ka trashëguar prej paraardhësit të tij Bush problemin e pazgjidhur të "luftëtarëve armiq", të zënë rob, por ndërkohë ai duhet ta marrë vetë përgjegjësinë për të. Edhe kur kishte ende shumicën në kongres, ai nuk hartoi një procedurë ligjore, e cila do të mund të kishte zëvendësuar proceset ushtarake. Tani është tepër vonë për këtë, sepse republikanët e kanë rifituar shumicën e tyre në dhomën e përfaqësuesve dhe do t'ia refuzonin miratimin një ligji të tillë. Në planin e politikës së jashtme Obama duhet ta kishte shfrytëzuar më mirë çastin e përshtatshëm të ardhjes së tij në detyrë, për të detyruar më shumë aleatë që të pranonin të burgosur, të supozuar të pafajshëm.
Në vend të kësaj Obama, i cili ka rënë politikisht në pozita mbrojtëse, është kujtuar me sa duket të mbledhë vota për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një vendim kundër njërit prej organizatorëve të atentateve terroriste të 11 shtatorit do të ishte për të i mirëseardhur, në rast nevoje edhe sikur të mbante vulën namkeqe „made in Guantanamo“.
Autor: Daniel Scheschkewitz
Redaktoi: Elert Ajazaj