1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim tek e shkuara - një grup studentësh hulumtojnë mbi kohën e diktaturës

26 Nëntor 2010

Cilat janë kujtimet dhe perceptimet e qytetarëve për zhvillimet në Shqipëri në kohën e diktaturës, në tranzicion, apo edhe në ditët që jetojnë? Ky është fokusi i një hulumtimi 5 mujor të një grupi studentësh.

Friedrich Ebert Transition in Albania:Stories from everyday life
Histori nga jeta e përditshme nga koha e diktaturësFotografi: DW

Grupi prej 10 studentësh nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës që ishte angazhuar në këtë projekt nuk e ka përjetuar njërën prej periudhave në studim, atë të Shqipërisë nën diktaturën komuniste. Por nga intervistat që kishin bërë me qytetarë të ndryshëm ata sollën mjaft aspekte të realitetit në ato vite. Për diskriminimin që iu bëhej “besnikëve” të Partisë dhe atyre që nuk ishin të tillë, për kontrollin total të medias nga pushteti, por edhe për përfytyrimet që krijoheshin në kohën e izolimit politik e ideologjik për rendin kapitalist. Thëniet nga dëshmitarë të kohës, fotografitë origjinale për ilustrim krijuan një atmosferë reale të së shkuarës. Me këtë metodë u procedua edhe për vitet e para të fillimit të proceseve demokratike si dhe për aktualitetin.

Të njohim të shkuarën për të kuptuar veten

Njëra prej organizatoreve të aktivitetit, Charlotte Siegerstetter, thotë se e shkuara duhet të jetë objekt diskutimi në publik. Aq më tepër kur historia e Shqipërisë në kohën e komunizmit ka qënë mjaft dramatike, thotë ajo për DW-në.

Performanca e studentëveFotografi: DW

“Të konfrontohemi me të shkuarën, të pyesim prindërit për shembull, shokë e miq që janë më të mëdhenj se sa ne, që të mësojmë se çfarë ka ndodhur, pse jemi kështu, dhe pastaj mund të ndryshojmë gjërat nëse duam, ose t'i mbajmë siç janë. Nuk mund të marrim një vendim për ndryshim, ose për të mos ndryshuar nëse nuk dimë se nga vijmë. Studentët merren edhe me të kaluarën dhe jo vetëm me të ardhmen”.

Dëshmitë e kohës - përvojë e veçantë

Dorian Alimerkaj është njëri prej studentëve të angazhuar në projekt. Ai thotë për DW-në se e konsideron si një eksperiencë të vyer faktin që koleksionoi histori njerëzore. “Tregonin jetën e tyre, por ndonjëherë dhe me lotë në sy. Ku tregonin vuajtjet dhe përjetimet që kishin patur. Këto na bënin të ndjeheshim keq, por dhe të mësonin nga më të mëdhenjtë se si kishin kaluar. Ishte me të vërtetë një eksperiencë e veçantë”.

Ndërsa Maden Ajdini para viteve '90 të shekullit të kaluar ka qënë në moshë të re. Teksa dëgjon përmbledhjen e dëshmive që kanë përgatitur studentët atij i ngacmohen kujtime nga ajo kohë. “E kaluara jonë është dhe nostalgjike dhe e dhimbshme. Janë të dyja brenda dhe askush nuk mund t'i mohojë. Ishte diçka shumë e bukur, studentët kishin hulumtuar dhe eksploruar me intervista dhe forma të tjera, të cilat për shikuesit ishin mjaft të këndshme”.

Fondacioni Friedrich Ebert, BerlinFotografi: picture-alliance/ ZB

Për studenten Nertila Malasi, marrja e opinioneve nga qytetarët për të djeshmen apo për të sotmen është një detyrë me përgjegjësi. Pavarësisht vështirësive që ka sot për të rinjtë në gjetjen e një vendi pune pas studimeve universitare dhe kualifikimeve të tjera shkencore, unë personalisht do të qëndroj në Shqipëri, thotë ajo për DW.

“Dhe kur kam qënë më e vogël, por dhe tani që kam hedhur disa hapa duke kryer studimet këtu, asnjëherë nuk kam menduar të ardhmen time diku jashtë. Siç të vlerësojnë në vendin tënd, askund nuk mund të të vlerësojnë kur je jashtë. Ndoshta ndonjë trajnim më i mirë, ndonjë specializim a studim jashtë shtetit, pasi të kem marrë njohuritë më të mira andej, do të kthehem që t'i përdor dhe t'i jap këtu”.

Projekti - punë vullnetare e studentëve

Belina Bedini bashkëorganizatore e projektit thotë se studentët kanë nisur nga puna rreth 5 muaj më parë. Ata erdhën në mënyrë vullnetare, me dëshirë jo vetëm për të qënë pjesë e projektit, por e shfrytëzuan pjesëmarrjen si një rast për të njohur një periudhë të panjohur për ta.

“Për studentët ishte një eksperiencë e re qoftë për punën individuale qoftë për punën në grup. Bëmë disa trajnime me ta, për mënyrën se si bëhen intervistat, për përpunimin dhe interpretimin e të dhënave të grumbulluara etj.”

Bedini shton se një ekspert erdhi enkas nga Gjermania për kujdesin ndaj procesit të prezantimit të rezultateve për publikun. Projekti ishte një bashkëpunim mes Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” dhe Ambasadës Gjermane në Tiranë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW