1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthimi në Ramadi dhe kthimi nga Gjermania

Friedel Taube29 Mars 2016

Gazetari Uli Gack ka qenë në Ramadi dhe ka biseduar me njerëzit që jetojnë në kushte të mjerueshme. Megjithatë shumë prej tyre detyrohen të kthehen në këtë qytet fantazmë. Ndonëse mungojnë kushtet elementare për jetë.

Irak Rückeroberung von Ramadi
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Deutsche Welle: Zoti Gack, kush janë njerëzit që keni takuar në Ramadi?

Hans-Ulrich Gack: Ata janë të fiseve sunite që kanë mbetur atje apo janë kthyer. Por Ramadi është në fakt gati i zbrazët, një qytet i shkatërruar, pa infrastrukturë, ujë dhe rrymë. Qyteti është në fakt i pabanueshëm. Fiset sunite duan që njerëzit të kthehen, sipas mundësisë, deri në mes të prilit.

Prej nga vijnë njerëzit që gjenden në Ramadi?

Nga një kamp i madh refugjatatësh në afërsi të Bagdadit. Njerëzit pengohen të futen në qytet, sepse pushtetmbajtësit shiitë atje kanë frikë nga bashnkëpunimi i sunitëve me celulat e IS. Shumë duan të kthehen, që të kenë një kulm mbi kokë. Por nga ajo që kam parë, mbijetesa në Ramadi është shumë e vështirë.

Pse?

Qyteti është shkatërruar 50%. Shumë godina janë shkatërruar. Prijësit e fiseve sunite më kanë treguar se i kanë çmontuar brenda pak ditësh rreth 3000 mjete shpërthyese. Por ende nuk janë zbuluar të gjitha mjetet shpërthyese nëpër shtëpi dhe mund të ndodhë që ato të hidhen në ajër. Shumë prej këtyre mjeteve nuk mund të çmontohen.

Çfarë ju kanë treguar banorët e atjeshëm për përjetimet e tyre?

Ata na kanë treguar se IS i ka përdorë si mburojë të gjallë, në rastet kur kanë sulmuar ushtarët irakianë. Shumë prej këtyre njerëzve janë vënë mes palëve në luftë dhe shumë prej tyre kanë vdekur. Kemi takuar edhe njerëz me plagë të tmerrshme, ndër ta edhe fëmijë. IS është duke bërë një lutë të pamëshirshme dhe të paskrupullt.

Pse njerëzit duan të kthehen pra në një qytet të këtillë?

Kjo ka të bëjë me gjendjen e pashpresë, sepse nuk dinë nga t'ia mbajnë. Gjendja është brutalisht e keqe. Ata janë të dëshpëruar totalisht nëpër kampe. Ata kanë shkuar deri diku, si për shembull tek lumi Tigris, ku janë ndaluar nga shiitët. Në një kamp janë 30.000 deri 40.000 njerëz. Këtu duhet shtuar edhe konfliktet mes sunitëve dhe shiitëve. Njerëzit kanë mbetur mes dy frontesh, dhe nuk dinë nga t'ia mbajnë. Ramadi u duket si shpresa e fundit për të mbijetuar.

Mendoni se edhe refugjatët që jetojnë në Gjermani do të kthehen në Irak?

Nuk përjashtohet mundësia, sepse disa janë të zhgënjyer me qëndrimin në Gjermani. Nëse shkojnë informacionet nga Gjermania në Irak për gjendjen, atëherë shumë prej tyre nuk do të nisen fare. Por numri i të zhvendosurve brenda Irakut do të rritet në përmasa dramatike. Momentalisht po zhvillohen operacionet për çlirimin e qytetit të dytë më të madh, Mosulit. IS është në tërheqje. OKB llogarit se në këtë rajon ka aktualisht rreth 1,2 milionë refugjatë të ikur nga luftimet. Kjo do të shtojë presionin ndaj Turqisë, sepse njerëzit duan të ikin në vende të sigurta. Mendoj se duhet të llogarisim me një valë të re të refugjatëve nga Iraku. Përfaqësuesit e OKB thonë se gjendja në Mosul është katastrofale.

Hans-Ulrich Gack drejton studion e ZDF në Kairo. Ai raporton prej vitesh nga vende të ndryshme arabe. Reportazhi i tij për refugjatët në Irak do të shihet së shpejti edhe në Televizionin e Deutsche Welles.