1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku është shteti nuk janë minoritetet dhe ku janë minoritetet nuk është shteti

1 Nëntor 2010

Përfaqësimi i komuniteteve etnike në Ballkanin Perëndimor në organet e pushtetit lokal dhe në vendimmarrjen politike – përbën rrugën më efikase për të luftuar diskriminimin ndaj tyre dhe përjashtimin social.

Dossierbild 3 Roma in Deutschland und Europa
Fotografi: picture alliance/dpa

Barazi në letër, pabarazi në jetë. Ky është pohimi i përfaqësuesve të komuniteteve etnike që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi, dhe Bullgari lidhur me pjesëmarrjen e tyre në jetën publike. Komuniteti malazes dhe maqedonas në Shqipëri, ai rom dhe egjyptian në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor marrin pjesë pak ose aspak ne jeten publike, ne organet e pushtetit lokal, ndërsa për atë qëndror as nuk bëhet fjalë. Pjesëmarrësit në takimin rajonal ”Pjesëmarrje efektive në jetën publike të Ballkanit Perëndimor, të komuniteteve etnike vulnerabël ndaj diskriminimit racial” të zhvilluar në Tiranë e përshkruan qartë situatën kur pohuan se ” Ku është shteti nuk janë minoritetet dhe ku janë minoritetet nuk është shteti”.

Pjesëmarrës në takimin rajonal ”Pjesëmarrje efektive në jetën publike të Ballkanit Perëndimor, të komuniteteve etnike vulnerabël ndaj diskriminimit racial”Fotografi: DW

Shqipëria nuk ka një ligj për minoritetet kombëtare

Rubin Zemon kryetar i Unionit Egjyptian Ballkanik, pjesëmarrës në takimin rajonal të Tiranës e përshkruan të vështirë por jo të njëtrajtshme situatën e komuniteteve etnike në Ballkanin Perëndimor lidhur me pjesëmarrjen e tyre në jetën publike. “Në disa vende si në Kroaci, Serbi, Mal të Zi ka ligje për minoritetet etnike kombëtare, madje ka edhe ministri për mbrojtjen dhe integrimin e tyre në shoqëri. Në Kosovë ka vende të rezervuara në Parlament për përfaqësimin e minoriteteve etnike. Në vende të tjera si në Shqipëri dhe Maqedoni nuk ka as ministri dhe as vende të rezervuara në Parlament. Situata më e vështirë është në Shqipëri, ku nuk ka një ligj për minoritetet kombëtare. Në Shqipëri ka përcaktim pa ligj të tri minoriteteve etnike kombëtare: ai grek, maqedonas dhe serbo – malazez dhe po keshtu pa ligj per percaktimin e grupeve etno- kulturore si romët dhe vllahët. Por komuniteti me numer më te madh, ai i egjyptianëve, në Shqipëri nuk njihet zyrtarisht nga qeveria,” thotë Rubin Zemon.

Karakteri multikulturor i çdo shoqërie fillon tek procesi i edukimit, arsimimitFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Ku është shteti nuk janë minoritetet dhe ku janë minoritetet nuk është shteti

Jasna Petrovska, nga Maqedonia thotë se problematike lidhur me pjesëmarrjen në jetën publike është situata e komuniteteve që janë të vogla në numër.

“Situata në Maqedoni nuk është e shkëlqyer. Nuk janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet etnike në pushtetin lokal, të paktën. Gjithsesi kohët e fundit është formuar një rrjet multikulturor i këtyre komunitetevde dhe ka filluar të dëgjohet zëri i tyre. Në Maqedoni ka rreth nëntë komunitete të tilla etnike si kroatët, ermenët, sllovenët, malazestë, ukrainasit që nuk përfaqësohen dhe janë nën 20% të popullsisë. Të gjithë së bashku po ngrejnë zërin e tyre për të qenë të përfaqësuar në institucionet administrative dhe shtetërore.”

Ndërkohë një projekt rajonal i financuar nga Bashkimi Europian, synon ta ndryshojë këtë situatë. Ky projekt është rezultat i nismës Unioni Egjyptian të Ballkanit dhe mbështetet nga organizata partnere të shoqërisë civile që trajtojnë çështjet e komuniteteve etnike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Mali i Zi dhe Bullgaria. Rubin Zemon thotë se qëllimi kryesor i këtij projekti është eksplorimi i rrugëve që fuqizojnë dhe aftësojnë anëtarët e minoriteteve etnike dhe grupeve vulnerabël në nivel rajonal për të marrë pjesë në jetën politike.

Multikulturalizmi pasuri e çdo shoqërie në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit në takimin rajonal të Tiranës qenë të një mendjeje kur pohuan se ka një faktor shumë të rëndësishëm për të ndryshuar për mirë situatën e minoriteteve etnike në Ballkanin Perëndimor. Ky është edukimi dhe kultivimi ne shoqeri i pranimit të tjetrit pavarësisht nga ngjyra, raca, kultura ndryshe. “Karakteri multikulturor i çdo shoqërie fillon tek procesi i edukimit, arsimimit. Duhet të edukohen fëmijët, brezi i ri ta shohë diversitetin etno- kulturor të shoqërive tona si një pasuri dhe jo dobësi.

Në Kroaci, Serbi, Mal të Zi ka ligje për minoritetet etnike kombëtare, madje ka edhe ministri për mbrojtjen dhe integrimin e tyreFotografi: picture-alliance/ dpa

Për fat të keq në Ballkanin Perëndimor, sistemi i edukimit me vlerësimin e multikulturalizmit është shumë i dobët. Popullsitë në shumicë në vendet e Ballkanit Perëndimor dinë shumë pak për komunitetet etnike në vendin e tyre dhe në ato fqinjë. Duhet përmirësuar curruiculat mësimore, duhet t'i edukojmë fëmijët me vlerësimin e diversitetit, multikulturalizmit dhe tolerancës.” thotë Rubin Zemon.

Model inkurajues - Komuniteti boshnjak në Shqipëri.

Vlerësimi si pasuri i pranisë së komuniteteve etnike shfaqet në rastin e komunitetit të vogël boshnjak në Shqipëri. Agim Baçi, gazetar, përfaqësues i këtij komuniteti dhe pjesëmarrës në takimin rajonal të Tiranës thotë se nga ky komunitet kanë dalë politikanë dhe individë pjesëmarrës në jetën publike. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e dy proceseve vë në dukje ai. "Integrimi në shoqërinë shqiptare i komunitetit boshnjak krahas ruajtjes së veçorive të tij kulturore. Ecja paralele e këtyre dy proceseve është një faktor i rëndësishëm sidomos për brezin e ri.” - thotë Agim Baçi,

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW